Një aksion i gjerë i Policisë së Kosovës në Kaçanik ka rezultuar me sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme të narkotikëve, armëve të zjarrit dhe mijëra eurove para të gatshme, ndërsa personi i dyshuar nuk është hasur në banesë dhe mbetet në kërkim.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Fitim Imishtin (27-vjeç).
Sipas informacioneve, pas sigurimit të të dhënave operative nga terreni, hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në Ferizaj, të asistuar nga NJRSH-ja dhe hetuesit e Stacionit Policor në Kaçanik, kanë zbatuar një urdhër kontrolli të lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj.
Kontrolli në shtëpinë e të dyshuarit, në rrugën “Skënderbeu” në Kaçanik, ka zgjatur nga ora 17:40 deri në 20:00.
Gjatë bastisjes janë sekuestruar:
401.9 gram marihuanë, të ndara në katër qese;
dy peshore që dyshohet se përdoreshin për përgatitjen dhe shpërndarjen e narkotikëve;
një pushkë automatike AK-47 me 5 karikatorë dhe 109 fishekë;
një pistoletë me 2 karikatorë dhe 29 fishekë;
9.050 euro para të gatshme, të dyshuara se burojnë nga aktiviteti kriminal.
Megjithatë, gjatë bastisjes Fitim Imishti nuk është gjetur në banesë dhe aktualisht ndodhet në arrati.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar për veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Policia po vazhdon kërkimet për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë në zhvillim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.














