Hetimi i madh penal për skandalin e Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS) është zgjeruar edhe më tej.
Sipas informacioneve pjesë e kësaj lënde penale është edhe “Reforma SH.P.K.”, me pronar Azem Rusinovci, ku me urdhër të Prokurorisë janë kryer bastisje sot.
Gazeta Online Veriu.info ka dërguar pyetje tek menaxheri i kësaj kompania, Nazmi Kermeni, lidhur me bastisjet në këtë kompani, por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet rreth bastisjes, por vetëm ka thënë në një përgjigje me shkrim “Shko pytni në polici”.
Kush është “Reforma SH.P.K.”
“Reforma SH.P.K.” njihet publikisht si: biznes që merret me shitblerjen e veturave, shitës dhe servis i autorizuar për brendet Volkswagen (VW) dhe Audi, kompani që kryen riparime profesionale të veturave pas aksidenteve, por edhe shërbime të tjera teknike dhe mekanike.
Pikërisht kjo veprimtari afariste, sipas burimeve, është vënë në fokus të drejtpërdrejtë të hetimit, për shkak të dyshimeve se struktura e kompanisë dhe dokumentacioni afarist janë përdorur në mënyrë të kundërligjshme.
Ekzistojnë dyshime për ndërlidhje financiare dhe dokumentare mes palëve BKS dhe Reforma, ku “Reforma SH.P.K.” dyshohet se ka pasur rol funksional në realizimin e veprimeve të dyshuara penale, përmes kontratave, faturave, transaksioneve dhe dokumentacionit kontabël.
Hetimi po zhvillohet mbi dyshime për: keqpërdorim të besimit dhe autorizimeve ekonomike, falsifikim dhe përdorim të dokumenteve, bashkëkryerje në vazhdimësi, përgjegjësi penale të personit juridik, përveç asaj individuale.











