Bashkimi Demokratik për Integrim ka shprehur shqetësim për përpjekjet e vazhdueshme të Hristijan Mickoskit për të imponuar veten si tutor i skenës politike shqiptare.
Siç thonë nga BDI, deklarata e fundit të Mickoskit, ku publikisht sugjeron se me kë duhet të koalicionojë Arben Taravari – është një përpjekje e rrezikshme dhe e papranueshme për të rikonfiguruar vullnetin politik të votuesve shqiptarë.
Reagimi i plotë:
Kjo është një vijë e kuqe që nuk është kapërcyer kurrë më parë – dhe që nuk do të lejohet të kapërcehet as tani.
Askush, e veçanërisht Hristijan Mickoski – një politikan që e ka ndërtuar karrierën mbi urrejtjen, përjashtimin dhe nacionalizmin – nuk ka as legjitimitet moral dhe as politik për të dizajnuar përfaqësimin politik të shqiptarëve.
Këto veprime nuk janë vetëm fyese për pjekurinë politike të shqiptarëve – ato janë një sulm i drejtpërdrejtë ndaj pozitës së tij si kryeministër.
Ai tashmë e ka humbur kredibilitetin për të qenë një zgjidhje afatgjate në një shtet multietnik.
Historia nuk do ta kujtojë si burrë shteti, por si një individ që u përpoq përkohësisht të uzurponte pushtetin përmes nacionalizmit, por që dështoi – sepse “softueri” i tij politik nuk është i përputhshëm me “harduerin” multietnik të këtij shteti.
Përfaqësimi politik shqiptar buron vetëm nga vullneti i qytetarëve shqiptarë – në mënyrë autentike, dinjitoze dhe të lirë.
Ai nuk është objekt pazari, dizajni apo inxhinierie politike nga politikanë që mbulojnë paaftësinë e tyre me urrejtje dhe që frikësohen nga multietniciteti në vend se ta pranojnë atë si vlerë.
Mickoski nuk është dhe nuk do të jetë kurrë tutor i përfaqësimit politik të shqiptarëve.