Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, ka deklaruar se vonesat në rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian nuk janë pasojë e ndonjë dështimi të brendshëm, por sipas tij, janë rezultat i faktorëve të jashtëm.
Ai i bëri këto komente gjatë pjesëmarrjes në një takim të ministrave për çështje evropiane në Kopenhagë, ku morën pjesë edhe përfaqësues nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, transmeton lajmi.net.
Sipas Bislimit, Kosova ka dhjetë vjet që implementon Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe, siç tha ai, “është më e përgatitur se shumë shtete që tashmë kanë statusin e kandidatit për BE”. Ai theksoi se problemi nuk është i brendshëm:
“Problemi me të cilin po përballet Kosova nuk është i prodhuar nga brenda, por ka të bëjë me faktorë të jashtëm, përtej kontrollit të vendit tim”.
Në vend të një vetëanalize mbi performancën e institucioneve në raport me standardet evropiane, Bislimi zgjodhi t’ia atribuojë të gjitha pengesat rrethanave të jashtme. Ai shtoi se mungesa e statusit të vendit kandidat ndikon negativisht në përfitimet financiare dhe në përfshirjen e Kosovës në trajnime dhe mekanizma të tjerë të Bashkimit Evropian.
“Kosova po e bën pjesën e saj. Ne po marrim pjesë në iniciativat e Komisionit Evropian dhe jemi gati për momentin që do ta marrim pyetësorin për kandidaturën”, tha ai.
Takimi i ministrave për çështje evropiane u mbajt nën organizimin e Danimarkës, vend që aktualisht mban presidencën e BE-së, ku zgjerimi i Unionit ishte ndër temat kryesore të diskutimit. Megjithatë, për Kosovën nuk pati sinjale konkrete për ndonjë hap të afërt drejt statusit të vendit kandidat.