Zëvendës Kryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, njoftoi për takim me deputetin shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberin, pas të cili tha se Qeveria (në detyrë) e Kosovës mbështet shqiptarët e Luginës së Preshevës si me mjete financiare, ashtu edhe në lobim për vetëdijësim ndërkombëtar të pozitës së shqiptarëve atje.
“Me deputetin shqiptar Shaip Kamberi, kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani dhe kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, biseduam mbi situatën aktuale në Luginën e Preshevës dhe Sanxhak dhe qasjen diskriminuese të Serbisë ndaj shqiptarëve.
Mbrojtja e identitetit shqiptar dhe kulturës atje është nevojë dhe domosdoshmëri kombëtare. Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të mbështesë shqiptarët në Luginë e Sanxhak përmes përkrahjes financiare në funksion të ruajtjes së kulturës e identitetit kombëtar, por edhe lobimit në shërbim të vetëdijësimit ndërkombëtar në lidhje me politikat diskriminuese me të cilat përballen shqiptarët në Serbi”, tha Bislimi.