Zëvendës kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka theksuar se VV nuk do të bëjë koalicion me partitë opozitare, por do bashkëqeverisin me parti që përfaqësojnë komunitetet joshumicë
Ja postimi i tij:
“Të nderuar qytetarë të Republikës,
Qeveria jonë është e para që arriti ta përfundojë me sukses dhe në plotni mandatin e saj qeverisës dhe ballëhapur të kërkojë vazhdimin e mirëqeverisjes edhe për një mandat.
Para se të shkoni tek kutitë e votimit me 9 shkurt, është shumë me rëndësi që të keni qartësi të plotë në këto 4 pika:
1. Në mandatin që vie, Vetëvendosje do të vazhdojë bashkëqeverisjen me të njejtit partner të koalicionit, pra me GUXO dhe me ALTERNATIVËN.
2. Në mandatin që vie as nuk do ketë nevojë e as aspak interesim nga ne që të përfshijmë në qeverisje cilindo subjekt politik nga partitë opozitare. Në rast se ndonjëra prej tyre përpiqet të sigurojë votën tuaj nën mashtrimin se do bashkëqeverisin me ne, mos u besoni. Merreni këtë tentim të tyre vetëm si konfirmim të natyrës së tyre mashtruese e manipuluese.
3. Në mandatin që vie do të vazhdojmë të bashkëqeverisim me të njetat parti që përfaqësojnë komunitetet joshumicë, meqë besojmë që secila prej tyre ka arritur të përfaqësojë denjësisht interesat e komunitetit të vetë. Do mirëpresim në bashkëqeverisje edhe subjekte tjera, qe marrin mbështetjen tuaj dhe janë dëshmuar në mbrojtjen dhe avancimin e interesave të votuesve të tyre brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës. Andaj ftojmë qytetarët e nacionalitetit serb, boshnjak, turk, rom, egjiptian e ashkali të rikonfirmojnë mbështetjen e tyre për këto subjekte duke mundësuar kështu avancimin e mëtejmë të prioriteteve të komuniteteve prej nga vijnë.
4. Dihet botërisht qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje për subjektin Lista Srpska. Qeveria jonë nuk do të bashkëqeverisë me këtë subjekt e as me satelitët e saj politik brenda komunitetit serb, apo tek përfaqësuesit e komuniteteve tjera. Vota për këto subjekte rrjedhimisht është votë për opozitë dhe mosqeverisje. Ftoj qytetarët e secilit komunitet që të mbështetë sa më shumë partnerët e qeverisë e të ndëshkojë me votë ata të cilët mandatet e fituara, menjëherë pas zgjedhjeve, ia kanë dorëzuar e do ia dorëzojnë sërish, listës srpska”, shkruhet në postimin e Bislimit.