Ish-komandanti i UÇK-së në zonën operative të Nerodimes, Shukri Buja, ditë më parë ka marrë konfirmimin se Prokuroria ka mbyllur të gjitha hetimet nga tij.
Buja ka theksuar se gjithmonë duhet të kundër-argumentohet pretendimi i prokurorisë. Ai tha se UÇK ka bërë luftë çlirimtare e të drejtë kundër një pushtuesi, derisa kërkoi mbështetje për ish-krerët e UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë.
Me betejë për lirinë e popullit të Kosovës, e me betejë juridike 5 vjeçare e përshkruan jetën e vet ish-luftëtari e komandanti i UÇK-së Shukri Buja, i cili javën e kaluar triumfoi në Speciale, kur ranë poshtë të gjitha akuzat për të cilat dyshohej.
Teksa qëndron në vendlindjen e tij në Lipjan, Buja e quan këtë proces triumf të tërë luftës së UÇK-së.
“Lufta jonë juridike do të fitohet me fitoren e pafajësisë e krerëve të UÇK-së që gjinden atje. Çështja e prezencës në një sallë gjykimi bashkë me ta (isha mësuar që t’i përqafoj) nuk ishte e lehtë për mua. Ajo që më motivonte ishte se ne vet e kemi krijuar Gjykatën Speciale. Vota e parlamentarëve tanë e ka votuar, ndërkombëtarët janë duke e zhvilluar në bazë të ligjit që është krijuar këtu. Ne duhet të argumentojmë atë që po pretendon prokuroria se ne kemi bërë luftë çlirimtare dhe që lufta jonë ka qenë e drejtë kundër një pushtuesi”, tha Buja për RTK.
Në këtë proces Buja thotë se nuk e di qartë mbështetjen që vjen nga shteti i Kosovës, veçse konsideron se është një mbështetje shumë e vogël financiare.