Menaxheri i programit në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli ka vlerësuar se rezultatet e plota të zgjedhjeve të 7 qershorit japin një pasqyrë të qartë për peshën politike që kandidatët kanë brenda subjekteve të tyre.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Cakolli ka thënë se rezultatet nuk tregojnë vetëm numrin e votave të fituara nga kandidatët, por edhe shkallën e mbështetjes që ata kanë marrë nga votuesit e partive përkatëse.
“Rezultatet e plota të zgjedhjeve të 7 qershorit tregojnë shumë edhe për peshën politike të kandidatëve brenda subjekteve të tyre. Pra, jo vetëm si numër absolut votash, por edhe për atë se sa votues të subjektit përkatës kanë zgjedhur ta votojnë kandidatin/en në listë”, ka shkruar Cakolli.
Sipas tij, kur krahasohen bartësit e listave zgjedhore me votat e përgjithshme të partive të tyre, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, rezulton kandidati me përqindjen më të lartë të votave preferenciale.
“Sa i përket bartësve të listave, në raport me votat e përgjithshme të partisë, Albin Kurti del kandidati me përqindjen më të lartë të votave preferenciale, i pasuar nga Ardian Gjini, Bedri Hamza dhe Vjosa Osmani”, ka theksuar ai.
Cakolli ka vënë në pah edhe një fenomen që, sipas tij, është evidentuar te kandidatët më të votuar të partive politike, ku renditja në listë nuk është reflektuar domosdoshmërisht në rezultatin final të votave.
“Sa i përket top 5 kandidatëve më të votuar brenda secilës parti, vërehet një situatë interesante, ku renditja më lart në listë nuk është përkthyer domosdoshmërisht dhe strikt edhe në renditje më të lartë sipas votave preferenciale të qytetarëve”, ka shkruar ai.
Sipas Cakollit, kjo dëshmon se ndikimi individual i kandidatëve po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm në zgjedhje.
“Në disa raste, kandidatët e vendosur më poshtë në listë kanë dalë më lart me vota, çka tregon se pesha politike, performanca publike, njohja nga qytetarët dhe mobilizimi personal po marrin gjithnjë e më shumë rëndësi, krahasuar me pozicionin formal në listë”, ka shtuar Cakolli.












