Eugen Cakolli, hulumtues i lartë në KDI, ka thënë se Kuvendi është drejt një krize politike, për shkak të mos arritjes së zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, por mbi të gjitha për shkak të mungesës së vullnetit politik për të eksploruar zgjidhje.
“Fatkeqësisht, aktgjykimi i 2014 ku Kushtetuesja ia kishte njohur partisë së parë që të propozojë kandidatin, nuk njeh asnjë afat kushtetues brenda së cilit duhet të konstituohet Kuvendi, që nënkupton se një situatë çfarë e kemi tani mund të zgjasë në pafundësi, në kontekstin tonë, jo më vonë se deri vitin tjetër kur i skadon afati presidentes Osmani, dështimin për të zgjedhur një presidente të re, që do të nënkuptonte menjëherë shkuarjen në zgjedhje. Por unë besoj se subjektet politike nuk do ta lënë aq gjatë, tani për tani duket se kalkulimet janë për zgjedhjet lokale dhe mbajtjen e dy palë zgjedhjeve po atë ditë por duhet theksuar se cilado rrugë, qoftë për zgjidhje për institucione apo për të shkuar në zgjedhje kalon përmes zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, pa u zgjedhur ai s’mund të procedohet tutje as për krijim të institucioneve apo për zgjedhje”, u shpreh ai në një intervistë për Gazetën Blic.
Cakolli ka folur dhe për dështimin e Albulena Haxhiut për 5 herë që të zgjedhet kryetare e Kuvendit dhe qëndrimet e partive që mos ta votojnë atë e kërkesat për një kandidat tjetër nga VV.
“Kandidimi i të njëjtit emër pa pasur marrëveshje është indikatori më i qartë që s’ka interes për marrëveshje politike. Fatkeqësisht, në vend se VV të fokusohet në gjetjen e një zgjidhje, në diskutime me partitë politike në nivel të kryetarit apo të lidershipit, e ka zëvendësuar këtë me konsultimet që i ka mbajtur z.Dehari, por që ai s’ka autoritet vendimmarrës në parti. Por kjo vjen nga frika e refuzimit edhe nga partitë tjera, ashtu siç ka refuzuar LDK-ja. Ka një betonizim të partive në qëndrime, që ka pasoja politike, juridike e ekonomike për vendin, e që në këtë mes barrën më të madhe të përgjegjësisë e ka LVV, që si fituese e zgjedhjeve nuk duhet ta shohë rezultatin vetëm si mjet apo si të drejtë për formim të institucioneve por si obligim për gjetjen e konsensusit të nevojshëm, në mënyrë që të zhbllokohet situata në të cilën ndodhemi”, vlerëson hulumtuesi i lartë në KDI.
“Mungesa e votave për kryetar të Kuvendit normalisht që nënkupton edhe mungesë të votave për qeveri. Por, përtej kësaj, unë besoj që edhe po të siguroheshin votat për qeveri, do të ishte qeveri e brishtë dhe duket se s’ka interes për një qeveri të tillë, që i ka fiks 61 numra dhe do të ishte e sigurt se më së largu në prill të vitit të ardhshëm do të shkonim në zgjedhje”, ka deklaruar Eugen Cakolli nga KDI.