Përfaqësuesi i KDI paralajmëron se zvarritja e procesit mund të rrezikojë formimin e institucioneve dhe zgjedhjen në kohë të presidentit.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka vlerësuar si vendim të duhur shkuarjen në rinumërim në nivel vendi, pas dyshimeve për manipulim të votave në disa komuna.
banner
Në një deklaratë për Periskopin, Cakolli tha se me dyfishimin e kapaciteteve të numërimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mund ta mbyllë procesin e rinumërimit maksimalisht brenda dy javëve.
Ai sqaroi se KQZ ka rritur kapacitetet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve duke shtuar tavolina shtesë, çka mundëson përmbylljen e rreth 10 kutive për tavolinë. “Deri më tani kanë qenë 20 tavolina që kanë numëruar rreth 80 kuti në ditë, ndërsa tani, me rritjen e kapaciteteve, besoj se brenda dy javëve procesi i rinumërimit mund të përmbyllet tërësisht”, tha Cakolli.
Tutje, ai sqaroi edhe hapat e ardhshëm pas përfundimit të rinumërimit të votave. Sipas tij, fillimisht do të rrjedhë afati 48-orësh për ankesa në PZAP, i cili ka deri në katër ditë për vendimmarrje, ndërsa më pas ankesa mund të dërgohen edhe në Gjykatën Supreme. Vetëm pas përfundimit të këtyre procedurave mund të shpallen rezultatet përfundimtare dhe të vazhdohet me certifikimin e tyre.
Cakolli paralajmëroi se zvarritja e këtij procesi mund të rrezikojë edhe zgjedhjen në kohë të presidentit. Ai tha se nëse KQZ nuk i rrit më tej kapacitetet dhe resurset, ekziston rreziku që procedurat të zgjasin deri në fund të muajit shkurt, gjë që do të kishte ndikim negativ në formimin e institucioneve.
“S’duhet harruar se seanca konstituive thirret brenda 30 ditësh, por para zgjedhjes së presidentit ka një sërë procedurash si formimi i qeverisë dhe votimi i buxhetit. Kjo e bën evident rrezikun që zgjedhja e presidentit të mos ndodhë në kohë”, tha Cakolli për Periskopin.











