Komentet e Donald Trump të dielën – ku ai tha se ishte “shumë nervoz” me Vladimir Putinin – ishin një përgjigje ndaj komenteve të presidentit rus të premten, në qytetin e largët veriperëndimor rus, Murmansk, shkruan BBC.
Atje, Vladimir Putin sugjeroi një qeveri të përkohshme në Ukrainë nën mbështetjen e OKB-së që mund ta zëvendësonte presidentin Zelensky, përpara se zgjedhjet t’i jepnin pushtetin një “qeverie të aftë” për t’i nisur bisedimet e paqes.
Presidenti rus sugjeroi që mbikëqyrja e OKB-së do të ishte në fuqi “me qëllim që të mbaheshin zgjedhjet demokratike [në Ukrainë], me qëllim që të sillnin një qeveri kompetente që gëzon besimin e popullit”.
Ai tha se Rusia do të zhvillonte më pas bisedime paqeje me qeverinë e re dhe do të “nënshkruante dokumente legjitime që do të njiheshin në mbarë botën dhe do të ishin të besueshme dhe të qëndrueshme”.
Duke përmendur shembuj të përfshirjes së OKB-së në Timorin Lindor, Guinean e Re dhe pjesë të ish-Jugosllavisë, Putin tha: “Një praktikë e tillë ekziston”
Ai shtoi: “Teknikisht, është e mundur të diskutohet mundësia e vendosjes së një qeverisjeje të përkohshme në Ukrainë nën kujdesin e OKB-së me Shtetet e Bashkuara, me vendet europiane, natyrisht, me partnerët dhe miqtë tanë”.
Si rikujtim, Trump i tha NBC-së të dielën: “Udhëheqje e re [në Ukrainë] do të thotë që ju nuk do të keni një marrëveshje për një kohë të gjatë”.