Udhëheqja e Iranit ka shpërthyer në akuza të ashpra ndaj Shteteve të Bashkuara, pasi të dyja vendet shkëmbyen për të dytën natë radhazi sulme, të enjten sipas kohës lokale.
IRGC-ja: Trupat elitare të Iranit, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), njoftuan se kanë kryer sulme të përbashkëta me dronë dhe raketa ndaj infrastrukturës dhe objekteve amerikane në Bahrein dhe Kuvajt, si përgjigje ndaj sulmeve të fundit amerikane, sipas transmetuesit shtetëror IRIB. Garda Revolucionare paralajmëroi se përgjigjja do të zgjerohet edhe ndaj bazave të tjera amerikane në rajon nëse SHBA-ja ndërmerr sulme të reja.
Negociatori kryesor: Njëri nga figurat më të fuqishme politike të Iranit paralajmëroi SHBA-në se “nëse godisni, do të goditeni”. Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, i cili udhëheq negociatat me SHBA-në, tha se “Amerika ende nuk e ka mësuar se bullizmi dhe shkelja e premtimeve nuk janë më pa kosto”.
Ministria e Jashtme: Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, lëshoi një paralajmërim ndaj Europës të enjten, pasi disa liderë të NATO-s shprehën mbështetje për valën e parë të sulmeve amerikane të mërkurën. “Ata që vunë në dispozicion territoret, bazat ushtarake dhe infrastrukturën e tyre për të mundësuar agresionin nuk mund t’i shmangen përgjegjësisë për rolin e tyre në një agresion të paprovokuar dhe pasojat e tij të rënda”, shkroi ai në X.
Të mërkurën, Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Mark Rutte, i cilësoi sulmet amerikane si “absolutisht të nevojshme”. Në reagim, Baghaei e quajti atë “oborrtar servil” të presidentit amerikan Donald Trump dhe e akuzoi për “bashkëfajësi të qëllimshme” në luftë.













