Alban Krasniqi nga Lëvizja Vetëvendosje ka sulmuar gjykatësin e Gjykatës Supreme, Zenel Leku, duke e krahasuar me Listën Serbe dhe kryetarin e saj, Zlatan Elek.
Ajo që e bën këtë sulm edhe më skandaloz është fakti se gjykatësi Leku është vëllai i një veterani dhe invalidi të luftës nga zona e Drenicës.
Akuza e rëndë erdhi pas vendimit të Supremes për të rrëzuar ankesën e LVV-së që kërkonte bllokimin e Listës Serbe në zgjedhjet e 12 tetorit.
Në vend të respektit për familjen Leku, Krasniqi zgjodhi të kundërtën, gjuhën fyese.
“Turp i madh” e “mjerim” tha Krasniqi për vendimin e Supremes, ndërsa emrin e gjykatësit Leku e krahasoi me atë të kryetarit të Listës Serbe, Zlatan Elek.
“Unë kam dërguar e-mail zyrtar te ai personi që e ka emrin gati si Zlatan Eleku, qashtu dul edhe me mënyrën se si ka dirigju me këtë proces. Zenel Lepa, kush është ky kryesuesi”, tha ai.
Pavarësisht thirrjes së kryetarit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, që të ndalej dhe të sillte fakte, Krasniqi vazhdoi me akuza.
“Kryetar, nëse ke guxim, i fol do fjalë të rënda, kur po flet me Listën Serbe po e ulë kryet dhe s’po bën zë, e mu çka po më pengon, zoti Zenel Leku, i cili ka pranu një e-mail me të gjitha shpjegimet e bëra. Nuk ka denju as me e kthy sepse ka frikë edhe me kthy përgjigje”, tha ai.
Ai pretendoi se gjykatësi Zenel Leku “ka interesa bashkë me ata tjerët”, duke iu referuar lidhjeve me Listën Serbe.
“Kujt i shërbejnë këta njerëz?”, pyeti Krasniqi.
Deklaratat e Krasniqit janë sulm jo vetëm ndaj një gjykatësi, por edhe si fyerje e drejtpërdrejtë ndaj një familjeje që ka kontribuar në luftën çlirimtare./Paparaci