Zyrtarja e lartë e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj deklarimeve që ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i ka bërë gjatë një samiti në Tajvan, duke kritikuar Evropën për investimet në mbrojtje dhe duke thënë se Kosova po bëhet me fabrikë armatimi, gjë që s’e ka ende as Franca.
Çitaku thotë se kur sheh deklarime të tilla nga njerëz që kanë përgjegjësi, s’e di nëse duhet të qeshësh apo të qash.
“ Pra, Ministri i Mbrojtjes, ende në detyrë, ka vizituar Tajvanin dhe ka mbajtur një fjalim që, në rrethana të tjera, mund të na dukej qesharak po të vinte nga dikush pa peshë dhe përgjegjësi politike.
Por kur një ministër, i cili drejton një prej dikastereve më të ndjeshme të Republikës, viziton një vend me të cilin nuk kemi marrëdhënie diplomatike për arsye të njohura dhe aty flet për dështimin e Evropës në fushën e mbrojtjes, ndërsa pretendon se Kosova do të ndërtojë një fabrikë që as Franca – eksportuesja e dytë më e madhe në botë e armatimit – nuk e ka, atëherë s’di nëse duhet të qeshësh apo të qash.
Çfarë diletantizmi, çfarë papërgjegjësie”, ka shkruar Çitaku.