Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka vijuar komentet në drejtim të ambasadorit britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, i cili gjatë ditës ka deklaruar se “dënimet në Hagë kanë të bëjnë me krime individuale ndaj komuniteteve të ndryshme, s’e gjykojnë shtetësinë e Kosovës”.
Ajo ka marrë një shembull se si ishte raportuar se “një muaj para se të kërkohej fletarrestimi i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, kryediplomati britanik David Cameron e kishte telefonuar kryeprokurorin Karim Khan dhe, sipas pretendimeve të këtij të fundit, i kishte bërë presion që Gjykata Penale Ndërkombëtare të mos e ndërmerrte atë hap”.
Ajo thotë se “ambasadori Jonathan Hargreaves nuk ka reaguar publikisht për këtë rast”.
Prandaj, sipas saj, “kjo heshtje është e vështirë të mos shihet si standard i dyfishtë dhe si hipokrizi: në Kosovë flitet vazhdimisht për pavarësinë e drejtësisë dhe mosndërhyrjen në çështjet gjyqësore, ndërsa përballë një rasti që prek drejtpërdrejt Britaninë e Madhe, heshtja duket se është zgjedhja e ambasadorit”.
Reagimi i saj i plotë:
Hipokrizia e “drejtësisë së pavarur” dhe heshtja e ambasadorit britanik
Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, në vazhdimësi u ka dhënë mbështetje Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke e vënë theksin te fjalia: “Ne nuk përzihemi në çështjet gjyqësore, ne besojmë në drejtësinë e pavarur.”
Një muaj para se të kërkohej fletarrestimi i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, kryediplomati britanik David Cameron e kishte telefonuar kryeprokurorin Karim Khan dhe, sipas pretendimeve të këtij të fundit, i kishte bërë presion që Gjykata Penale Ndërkombëtare të mos e ndërmerrte atë hap.
Mediat kanë raportuar për këtë telefonatë, e cila është cilësuar skandaloze dhe ndërhyrje e drejtpërdrejtë në sistemin e drejtësisë.
Më 16 janar 2026, Qeveria britanike konfirmoi për herë të parë se ishte zhvilluar një telefonatë mes David Cameronit dhe Karim Khanit. Sipas pretendimeve të Khanit, gjatë saj ish-sekretari i Jashtëm e kishte kërcënuar lidhur me hetimin për krimet e luftës në Gaza.
Khan e ka konfirmuar telefonatën dhe ka deklaruar se Cameroni e kishte kërcënuar me ndërprerjen e fondeve dhe me tërheqjen e Britanisë së Madhe nga Gjykata Penale Ndërkombëtare.
Ambasadori Jonathan Hargreaves nuk ka reaguar publikisht për këtë rast.
Kjo heshtje është e vështirë të mos shihet si standard i dyfishtë dhe si hipokrizi: në Kosovë flitet vazhdimisht për pavarësinë e drejtësisë dhe mosndërhyrjen në çështjet gjyqësore, ndërsa përballë një rasti që prek drejtpërdrejt Britaninë e Madhe, heshtja duket se është zgjedhja e ambasadorit.
Nëse drejtësia duhet të jetë e pavarur, e që pajtohem se duhet të jetë, atëherë duhet të jetë e pandikuar dhe e pavarur për të gjithë. Edhe kur bëhet fjalë për ju, zoti ambasador!














