Pas dështimit të 32-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokimin e procesit dhe e ka cilësuar këtë si një “pengmarrje klasike”.
“Të them të drejtën, kësaj pyetje mund t’i jap përgjigje vetëm Lëvizja Vetëvendosje, sepse ata po e mbajnë të bllokuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Kjo është një pengmarrje klasike,” tha Çitaku.
Ajo theksoi se PDK nuk ka detyrim të votojë kandidatin e VV-së për kryetar Kuvendi, sidomos në mungesë të një shumice parlamentare, edhe pse, sipas saj, partia e saj ka ofruar alternativë.
“PDK nuk voton në diktat,” shtoi Çitaku, duke lënë të kuptohet se partia e saj nuk do të mbështesë kandidatura të propozuara në mënyrë të njëanshme.