
Çerdhja e re publike në lagjen Dardania, e hapur këtë vit, ka ngritur pakënaqësi mbi mënyrën e përzgjedhjes së fëmijëve. Një nënë pretendon se fëmija i saj është refuzuar, edhe pse kriteret e Komunës së Prishtinës parashohin që përparësi të kenë prindërit me të ardhura më të ulëta. Ndërkohë, në këtë institucion janë pranuar dy djemtë e këngëtares së njohur Shkurte Gashi.
Gazeta Insajderi ka biseduar me bashkëshortin e Shkurtes, Albert Limanin, i cili ka përdorur një gjuhë banale, duke shtuar se “ja duhet me u pranu fëmija e mi ja s’di të kujt“.
Drejtoria Komunale e Arsimit, më 21 korrik të këtij viti, ka njoftuar për hapjen e konkursit për regjistrimin e fëmijëve në kopshtin e ri publik në lagjen Dardania, për vitin edukativ 2025/2026.
Në njoftim ishte bërë e ditur se afati i aplikimit do të ishte i hapur nga 21 korriku deri më 1 gusht, ndërsa aplikimet do të pranoheshin në objektin e Komunës së Prishtinës.
Po ashtu, ishte bashkangjitur edhe formulari i aplikimit, si dhe kriteret që prindërit duhej të plotësonin për regjistrimin e fëmijëve.
Megjithatë, duket se kriteri bazik për të ardhurat mujore të prindërve, i përcaktuar për pranimin në çerdhet publike, nuk është respektuar në një rast të caktuar.

Gazeta Insajderi ka pranuar një ankesë nga një nënë, e cila pretendon se fëmija i saj është refuzuar për pranim në çerdhen publike të sapohapur në Dardani.
D.H (emër i njohur për redaksinë) tha për Insajderin se jeton në lagjen Dardania, pranë Santeas, dhe se punon me një pagë mesatare. Sipas saj, i kishte plotësuar të gjitha kushtet për pranimin e djalit në çerdhe.
“Unë punoj me një pagë dhe fëmija i ka plotësuar kushtet për pranim. Një nga kriteret kryesore ka qenë që prindërit të mos kenë të ardhura të larta”, tha ajo.
Ajo shtoi se, përkundër këtyre kritereve, kishte vërejtur se dy djemtë e këngëtares së njohur Shkurte Gashi ishin pranuar në të njëjtën çerdhe publike.
“Dy djemtë e këngëtares Shkurte Gashi janë pranuar, edhe pse dihet shumë mirë se cilat janë të ardhurat e saj. Ndërsa mua më është refuzuar pranimi i fëmijës tim në këtë institucion”, tha ajo për Insajderin.
D.H lidhur me këtë çështje ka dorëzuar ankesë edhe në Drejtorinë e Çerdhes Publike.

Gazeta Insajderi në pamundësi të një kontakti me Shkurte Gashin, ka telefonuar bashkëshortin e këngëtares, Albert Limanin.
“Unë qe 50 vjet jetoj midis Dardanie, e më këto far sene sdi qa po merreni, unë normal që kom apliku, se une i Dardanisë jom, shko kqyre dokumentacionin në komunë, vet kom apliku, s’ka lidhje të bëjë këtu as Shkurte as ç’Shkurte, sdi çka po merreni. Po çka m’intereson mu për Shkurten. Ja duhet me u pranu fmija e mi ja s’di të kujt”, deklaroi burri i Shkurte Gashit.
E tutje gjatë bisedës me gazetaren ai eskalon edhe në fjalë banale.
“Çka po merreni me këto bashkëshorte, po çka më ha mu k*** për bashkëshorte a ç’bashkëshorte”.
Gazeta Insajderi ka hulumtuar se cilat janë kriteret për pranimin e fëmijëve në çerdhet publike. Në vendimin e komunës thuhet se:
I.Vetëm fëmijët e prindërve që janë banorë të komunës së Prishtinës mund të regjistrohen në institucionet parashkollore publike (IP) të Komunës së Prishtinës;
II. Planifikimin për numrin e fëmijëve që do të pranohen në IP e bënë vetë IP-ja, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe në përputhje me kapacitetet profesionale dhe infrastrukturore të IP-së;
III. Në institucionet parashkollore publike mund të regjistrohen fëmijët prej moshës 9 muaj deri në 6 vjeç;
IV. Llogaritja e moshës së fëmijëve nuk bëhet duke marrë parasysh datën e regjistrimit, por datën e fillimit të shërbimit, përkatësisht duke marrë parasysh datën 31 Gusht;
V. Nëse Komisioni i pranimit të fëmijëve gjatë procesit të regjistrimit konstaton se ka dy e më shumë fëmijë me pikë të barabarta, atëherë duhet praktikuar shortin, i cili bëhet në prani të prindërve të fëmijëve dhe KDSH-së përkatëse. E njëjta procedurë kur fëmijët kanë pikë të barabarta vlen edhe për fëmijët që mbesin në listën pritëse (të papranuar), që sistemohen përgjatë vitit edukativ;
VI. Pranimi i fëmijëve në IP bëhet në bazë të numrit më të madh të pikëve totale që merr një kandidat bazuar në kriteret e specifikuara në tabelën e mëposhtme:”.
Në tabelën më poshtë, një prej kritereve kryesore lidhet me të ardhurat mujore të prindërve.
Nga pika 16 deri në pikën 25 përfshihen kriteret bazuar në të ardhura mujore. Lista fillon me të ardhura deri në 400 euro dhe përfundon me mbi 1000 euro.
Kjo do të thotë se prindërit me të ardhura më të ulëta marrin më shumë pikë, dhe fëmijët e tyre kanë prioritet në pranim, përpara atyre të prindërve me të ardhura më të larta.

