Wolverhampton po pret një vendim në 48 orët e ardhshme për lejen e punës së Diego Costas, pasi aplikimi i tij nuk u pranua për shkak të mungesës së paraqitjeve ndërkombëtare.
Leja e punës e Costas nuk është refuzuar, por aplikimi i tij do të shkojë në një panel për të vendosur nëse do t’i jepet atij apo jo. 33-vjeçari ende pritet të mbërrijë në Angli sot para transferimit te Wolves.
Wolves kishte shpresuar që të nënshkruante me Costan në kohë për ndeshjen e së shtunës kundër Liverpoolit, pasi Sasa Kalajdzic pësoi një lëndim në ligamentet e tij gjatë fitores ndaj Southamptonit fundjavën e kaluar, përcjell KosovaPress.
Por edhe para se t’i ofrohej një kontratë, kishte raportime se klubi ishte i shqetësuar për mundësinë e marrjes së një leje pune, duke qenë se ai nuk ka luajtur asnjë ndeshje profesionale që nga 12 dhjetori i vitit të kaluar.
Costa është një agjent i lirë pasi u largua nga Atletico Mineiro në janar. Ai luajti 19 herë dhe shënoi pesë gola për ta në sezonin 2021 përpara se kontrata e tij të shkëputej pas vetëm pesë muajsh.
Pavarësisht se është i lidhur me një transferim me skuadrën braziliane Corinthians, ai ka mbetur pa klub. Gushtin e kaluar, “Marca” raportoi se ai ishte afër nënshkrimit të një marrëveshjeje me skuadrën e La Ligas, Rayo Vallecanon.