Kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Fikrim Damka, ka deklaruar se dy deputetët e kësaj partie do ta mbështesin pa kushte formimin e Qeverisë Kurti 4, duke theksuar se prioritet mbetet krijimi sa më i shpejtë i institucioneve të reja.
“Ne si dy deputetë të Partisë Demokratike Turke do ta votojmë pa kushte Qeverinë Kurti 4. Besoj se shumë shpejt do të formohen institucionet, sepse Kosova ka nevojë urgjente për institucione funksionale”, tha Damka.
Ai theksoi se KDTP-ja synon të vazhdojë bashkëqeverisjen me Lëvizjen Vetëvendosje, sikurse në mandatin e kaluar, ku ai ushtron detyrën e zëvendëskryeministrit.
“Besoj se do të vazhdojmë të qeverisim bashkë dhe do të jemi pjesë e qeverisë”, u shpreh ai.
I pyetur nëse do të mbajë ndonjë post ministror ose do të vazhdojë si zëvendëskryeministër, Damka tha se kjo nuk është kusht për votimin e qeverisë.
“Nuk e kemi kusht të jem ministër apo zëvendëskryeministër. Për ne është e domosdoshme që të krijohen sa më shpejt institucionet. Jemi të gatshëm të japim mbështetjen tonë si deputetë të Partisë Demokratike Turke”, deklaroi ai, për Indeks Online.
Damka bëri të ditur se ka kontakte të vazhdueshme me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe se kanë zhvilluar diskutime lidhur me formimin e qeverisë së re.
“Kemi pasur një takim të shkurtër ku kemi biseduar për nevojën që qeveria të formohet sa më shpejt dhe të japim mbështetjen tonë. Nuk kemi folur për pozita, pasi për ne më e rëndësishme është të jemi përkrahës të Qeverisë Kurti”, tha ai.
Në fund, ai u bëri thirrje partive politike që të tejkalojnë bllokadën aktuale dhe të kontribuojnë në zgjidhjen e krizës politike.
“Partitë politike duhet të gjejnë një rrugëdalje nga kriza në të cilën ndodhet Kosova. Bllokadat politike dhe institucionale po e dëmtojnë vendin dhe qytetarët. Besoj se edhe opozita do të reflektojë dhe se do të arrihet një marrëveshje për krijimin e institucioneve dhe zgjedhjen e presidentit”, deklaroi Damka.
Sipas tij, partitë e komuniteteve joshumicë ndajnë të njëjtin qëndrim, pasi qytetarët janë lodhur nga zgjedhjet e shpeshta dhe vonesat në formimin e institucioneve.
“Partitë minoritare besoj që të gjithë do të jenë me mendimin tim. Sepse ne si komunitet jemi lodh dhe populli jonë është lodhur nga zgjedhjet dhe moskrijimin e institucioneve. Besoj që të gjithë bartësit e komunietetve janë me këtë mendim”, tha ai.













