Juristi Arton Demhasaj, tha se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) janë në pikën më të ulët ndonjëherë.
Një gjë të tillë, Demhasaj e tha duke fajësuar qeverinë Kurti se ka marrë veprime duke sjellë marrëdhëniet me SHBA-në në pikën më të ulët.
“Nëse flasim për një vend mik që ka dhënë shumë për këtë vend, edhe ai vend është Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe nëse shohim që për katër vite të qeverisjes së tij, nuk e ka bërë asnjë veprim, për me i zhvillu ose me i rritë ma shumë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por përkundrazi ka marrë veprime e vendime që kanë pru ndoshta marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në pikën më të ulët që e ka pas najherë Kosova me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Demhasaj.
Ai tha se si mund të pritet që deputetë nga partitë tjera ta përkrahin Vetëvendosjen, duke pasur parasysh të gjitha problemet, që sipas tij, i ka shkaktuar.
“Domethënë ky njeri nuk ka qenë në gjendje për katër vite qeverisje me e bo një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe prandaj e kemi këtë situatën që Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk po intervenojnë në këtë rast”, shtoi Demhasaj.
Sipas tij, SHBA thjesht nuk duan të intervenojnë që të japin zgjidhje në këtë rast.
“Sepse ne e dimë që në të kalumen sa herë që kanë ndërhy ata, brenda 24 orëve i kanë dhënë zgjidhje. Por, thjesht nuk dojnë me këtë njeri me bo zgjidhje për shkak të kalumes dhe për shkak të veprimeve që ky i ka marrë në të kalumen dhe fajtori kryesor është ai”, tha Demhasaj.