Është një tërmet politik që është gati t’u japë fund ambicieve të Marine Le Pen për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027 dhe e hedh partinë e saj të ekstremit të djathtë në kaos, pikërisht në momentin kur ajo synonte ta merrte pushtetin në Francë.
Dënimi i Le Pen dhe i 24 anëtarëve të tjerë të partisë për përvetësim të fondeve të Parlamentit Europian është një goditje e madhe për një parti të ekstremit të djathtë që prej kohësh ka tentuar të paraqitet si alternativa e ndershme dhe e pastër ndaj politikanëve të vjetër, të cilët i kanë futur duart në arkë.
“Kokë lart, duar të pastra” ishte dikur një slogan i partisë së ekstremit të djathtë dhe kundër imigracionit, për t’u distancuar nga ajo që i quante mënyra të pandershme të politikanëve tradicionalë të pangopur.
Dënimi i Le Pen – të cilin ajo më parë e kishte krahasuar me një “dënim me vdekje politike” – është edhe më i dëmshëm personalisht për të, sepse ajo e filloi karrierën e saj politike duke u paraqitur si një luftëtare kundër korrupsionit. Në një debat televiziv në vitin 2004, ajo kishte thënë: “Të gjithë kanë marrë para nga arka, përveç Frontit Kombëtar… Francezët janë të lodhur duke parë politikanë që përvetësojnë para. Është skandaloze”.
Presidenti i partisë, Jordan Bardella, 29 vjeç, i cili është popullor por i papërvojë, mund të bëhet tani figura zëvendësuese për garën presidenciale, por asgjë nuk është e sigurt. Ndërsa partia u mblodh për të biseduar rreth krizës të hënën, ai tha se demokracia franceze është “ekzekutuar” nga vendimi “i padrejtë”.
Megjithatë, ka të ngjarë që bërthama e elektoratit të Le Pen të mblidhet rreth saj. Vendimi dhe dënimi mund ta rrisin madje mbështetjen politike për ekstremitët e djathtë, shkruan The Guardian në një analizë. Le Pen nuk u akuzua për përfitime personale, por për kanalizimin e parave drejt partisë. Ajo e ka quajtur vazhdimisht këtë çështje një sulm politik ndaj saj, duke thënë se gjyqtarët kërkonin “vdekjen e saj politike”.
Dënimi i rëndë që e ndalon atë të kandidojë për poste publike me efekt të menjëhershëm, i shërben narrativës së saj të viktimizimit se ekziston një elitë që është kundër saj dhe partisë së saj dhe që synon ta ndalojë karrierën e saj politike.
Figurat e larta të partisë kishin thënë, para shpalljes së vendimit, se dënimet mund ta rrisin në fakt mbështetjen për këtë parti në Francë.