Dështimet vazhdojnë. E sot për të 47-n herë me radhë deputetët dështuan ta konstituojnë kuvendin. E vazhdon të përsëritet po i njëjti skenar, që deputetët të mblidhen çdo 48 orë, por pa asnjë rezultat.
Rreth pesë muaj pas përfundimit të zgjedhjeve, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur ende të konstituohet dhe se asnjëra nga partitë nuk kanë lëvizur nga pozicionet e tyre.
VV-ja nuk heq dorë nga votimi i fshehtë dhe as nga kandidatja e tyre për kryetare të kuvendit Albulena Haxhiu. Ndërkaq partitë opozitare mbetën të palëkundura në kundërshtimin e votimit të fshehtë.
Sikurse dhe në seancat e kaluara, edhe këtë herë kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, kërkoi formimin e një komisioni për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë për kryeparlamentar.
Por deputetët e opozitës patën disa kërkesa. Deputetja e PDK-së Eliza Hoxha e cila doli në foltore kërkoi nga deputetët që ta respektojnë betimin e dhënë.
“Mos e shkelni betimin e dhënë të deputetit, kthejuni në rendin e ditës”, tha ajo. Por fjala iu ndërpre nga kryesuesi.
E deputetja e AAK-së Time Kadriaj mbeti te propozimi i njëjtë. Ajo edhe këtë herë e propozoi për anëtar të komisionin Albin Kurtin, të cilin e quajti dhe nomad.
“Ne si AAK e propozojmë nomadin Albin Kurti”, tha ajo.
Ndryshe 51 nga deputetët e pranishëm në sallë votuan pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Propozimi nuk i mori votat e mjaftueshme dhe seanca u ndërpre për të vazhduar të enjten në orën 11:00.