Detyroi pacienten ta kryente lindjen në spital privat: Aktakuzë ndaj një mjeku në Prizren
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit S.Gj., nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 31 janar 2022 në Prizre. I pandehuri, duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare në cilësinë e mjekut në repartin e Gjinekologjisë – Obstetrikës të Spitalit të Përgjithshëm në Prizren, ka dështuar të përmbushë detyrat zyrtare me qëllim përfitimi pasuror për vete dhe për një person tjetër, duke i shkaktuar njëkohësisht dëm material një pale të tretë. Ai ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Shëndetësi të Republikës së Kosovës.
Në detaje, aktakuza pretendon se i pandehuri ka refuzuar t’i ofrojë shërbimin e lindjes me operacion pacientes G.B., e cila kishte ndjekur të gjitha kontrollet e nevojshme mjekësore në spitalin publik si dhe në klinikën private të vetë mjekut në Prizren. Me arsyetimin se në repartin ku duhej të kryhej operacioni kishte pacientë të infektuar me Covid-19, ai i ka rekomanduar pacientes dhe bashkëshortit të saj, J.B., që lindjen ta kryejnë në një klinikë private në Prishtinë – ku vetë i pandehuri ishte i angazhuar si mjek.
Për pasojë, lindja është kryer në atë klinikë private nga vetë i pandehuri, duke i shkaktuar çiftit G.B. dhe J.B. një dëm material në shumën prej 1,500 eurosh.
Për këto veprime, Prokuroria e akuzon S.Gj. për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që pas shqyrtimit gjyqësor, administrimit dhe vlerësimit të provave, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas dispozitave ligjore në fuqi.