Nga punësimi i të miturve dhe aksidentet e rënda, te vdekja në vendin e punës dhe procedime të pushuara, emri i Dionis Teqjes është përmendur në disa episode të kontestuara pa përfundime penale. Paralelisht, një rrjet prej 11 kompanish të lidhura me të rezulton me mungesë bilancesh tatimore ose deklarime të vazhdueshme humbjesh. Rasti ngre dyshime për evazion fiskal, shmangie kontrollesh dhe një sistem mbrojtjeje që kërkon hetim të thelluar financiar dhe penal.
Në logon e kompanisë “Megatek” është vendosur thirrja: “Bëje mirë, bëje vetë”. Referuar akuzave që qarkullojnë mbi aktivitetin e saj, pronari Dionis Teqja duket se vepron sipas vullnetit të tij, pa u ndalur nga institucionet ligjzbatuese.
Gjatë 23 viteve aktivitet, për asnjë shkelje të pretenduar ligji dhe për asnjë rast me pasoja për jetën e punonjësve, Dionis Teqja dhe kompanitë e tij nuk rezultojnë të kenë marrë ndëshkim penal përfundimtar.
Rasti i parë:
Në kompaninë “Megatek” u konstatuan punësime të miturish të moshave 13–16 vjeç, të cilët kryenin punë të rënda fizike. Dy prej tyre, E. Alla (14 vjeç) dhe K. Dusha (16 vjeç), u aksidentuan rëndë pas një rënieje nga rreth 12 metra lartësi.
Sipas denoncimeve familjare, ata u dërguan për trajtim mjekësor pa njoftuar menjëherë autoritetet. Policia regjistroi procedim penal për punësim të miturish dhe fshehje të ngjarjes, por më pas emri i Dionis Teqjes u hoq nga dosja dhe përgjegjësia u zhvendos te një punonjës magazine. Inspektorati i Punës paraqiti raport që i konsideronte të plagosurit si madhorë dhe të punësuar sipas ligjit.
Rasti i dytë:
Dionis Teqja u kallëzua për dhunë fizike ndaj dy shoferëve dhe për marrje të mjeteve të transportit të “City Park”. Çështja u procedua fillimisht, por më pas u pushua.
Rasti i tretë:
Një 32-vjeçar humbi jetën gjatë punës në ambientet e “Megatek”. Policia procedoi Dionis Teqjen si person përgjegjës për shkelje të rregullave të sigurisë në punë. Brenda 24 orëve, emri i tij u hoq nga dosja dhe përgjegjësia u kalua te një punëtor 61-vjeçar. Çështja u pushua.
Fakte mbi kompanitë e lidhura me Dionis Teqjen
Sipas informacioneve të siguruara nga burime pranë institucioneve fiskale dhe ligjzbatuese, disa nga kompanitë e lidhura me Dionis Teqjen kanë pasur mungesë bilancesh tatimore ose deklarime me humbje të vazhdueshme:
“Megatek” (krijuar më 17 mars 2007), aktivitet import-eksport mallrash industriale; pa bilance të dorëzuara që nga viti 2022.
“Spartan Security” (29 janar 2002), raporton humbje; pa bilance që nga 2021.
“Teqja International” (2 qershor 2004), import-eksport; pa bilance që nga 2023.
“T.N.T Express Albania” (30 janar 2022), shërbime postare; pa bilance.
“Global Invest” (ish “Global Construction”, 13 shtator 2006), ndërtim; pa bilance që nga 2023.
“HEC Peqin” (27 shkurt 2007), prodhim energjie; ka raportuar bilanc vetëm për vitin 2008 me humbje.
“Hidro Power Peqin” (1 dhjetor 2011), ndërtim HEC-esh; bilance vetëm për 2011 dhe 2019.
“Mercato Italia” (19 janar 2023), produkte ushqimore; pa bilance.
“Fashion Avenue” (22 mars 2023), tregti mallrash industriale; pa bilance.
“Alien House Sh.A” (28 gusht 2023), magazinim mallrash. /Pamfleti/















