Emra të njohur të legjislaturës së fundit e disa edhe të mëparshme, kanë mbetur jashtë Kuvendit të Kosovës.
Ata nuk kanë arritur që të sigurojnë një ulëse në Kuvend, në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Nga Lëvizja Vetëvendosje disa deputetë që ishin e që më s’do të jenë pjesë e Kuvendit janë Ardian Gola, Agon Batusha, Gramos Agusholli, Alban Bajrami, Arta Bajralia, Besim Muzaqi, Ekrem Mustafa, Enver Dugolli, Enver Haliti, Gani Krasniqi, Hydajet Hyseni, Jetmire Vrenezi, Milazim Salijaj, Mirlinda Tishukaj, Mirsad Shkreta, Nasuf Bejta, Nijazi Isaku, Shqipe Isufi dhe Vendenis Lahu.
Nga Partia Demokratike e Kosovës, jashtë Kuvendit të Kosovës kanë mbetur Xhavit Haliti, i cili ka qenë deputet që prej themelimit të Kuvendit të Kosovës, pastaj Ardian Kastrati, Hajdar Beqa, Bekim Haxhiu, Hisen Berisha, Isak Shabani e Filloretë Zjenullahu.
Ndërsa nga LDK, jashtë Kuvendit ka mbetur shefi i grupit parlamentar, Arben Gashi, deputetët Driton Selmanaj, Rrezarta Krasniqi, Valentina Bunjaku, Vlora Dumoshi e Drita Millaku.
Ndërsa, nga AAK, jashtë Kuvendit ka mbetur shefi i GP Besnik Tahiri, deputetët Pal Lekaj, Albana Bytyqi e Shemsedin Dreshaj.
Gazeta Blic ka kontaktuar disa prej deputetëve që kanë mbetur jashtë Kuvendit, sipas rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Përgjigje nuk kanë kthyer deputetët e VV-së, Agon Batusha, Gramos Agusholli, Enver Dugolli, Vendenis Lahu.
Ndërsa, Dugolli ka bërë një reagim në rrjetin e tij social në Facebook lidhur me mbetjen jashtë Kuvendit.
“Nga zemra ju falënderoj për besimin dhe përkrahjen tuaj në zgjedhjet e 9 shkurtit. Edhe pse nuk arrita të siguroj edhe një mandat tjetër në Parlamentin e Kosovës, fakti që 11,894 prej jush (veçanërisht nga mërgata jonë e çmuar) më dhatë votën tuaj është një nder i madh dhe një përgjegjësi që e vlerësoj thellësisht. Vota juaj nuk ishte thjesht një numër, por një mesazh besimi dhe motivimi për të vazhduar angazhimin tim për të mirën e përbashkët. Do të mbetem i përkushtuar ndaj vlerave dhe parimeve që na bashkojnë, gjithmonë me ju dhe pranë jush”, ka shkruar Dugolli në Facebook.
Hisen Berisha nga PDK, tha shkurt për Gazeta Blic se ka qenë vendim i popullit.
“Zëri i popullit, zëri i Zotit”, tha shkurt Berisha.
Nga PDK kandidatët tjerë përpos Berishës, nuk kthyen përgjigje, pavarësisht interesimit të Gazeta Blic për të marrë përgjigje nga Xhavit Haliti, Ardian Kastrati e Hajdar Beqa.
Por, kandidati Bekim Haxhiu reagoi përmes një postimi në Facebook.
“Në këto zgjedhje, pothuajse kam dyfishuar numrin e votave. Ky është vlerësim i rëndësishëm për punën time gjatë pesë mandateve radhazi si deputet i Kuvendit të Kosovës. Megjithatë, 18,561 vota nuk ishin të mjaftueshme për të fituar mandatin e radhës në Kuvend. Por kjo mund të ndryshojë varësisht mandatarit për formimin e qeverisë. Faleminderit që më besuat për pesë mandate si përfaqësuesi i juaj në Kuvend, i vlerësuar edhe nga organizatat monitoruese te Kuvendit si deputeti më aktiv i PDK-së, dhe ajo që është me rëndësi raporti im me qytetarët, nuk kam as një thirrje të humbur nga qytetarët.
Megjithatë, nuk u vlerësova mjaftueshëm për mandatin e radhës. Unë do të vazhdoj të jem aktiv dhe do të jap kontributin tim në PDK dhe nuk do të ndalem së bashkëpunuari në rrafshin profesional me kolegët e mi për të realizuar synimet dhe obligimet që kemi karrshi qytetarëve dhe liderëve tanë që po mbahen padrejtësisht në Hagë”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Përgjigje nuk kanë kthyer as kandidatët e LDK-së për deputetë, Arben Gashi, Valentina Bunjaku-Rexhepi, Driton Selmanaj.
Pa përgjigje ishin edhe nga AAK. Nuk u përgjigjen as Besnik Tahiri, Pal Lekaj, Albana Bytyqi.
Por, për Gazeta Blic është deklaruar Shemsedin Dreshaj, i cili ka thënë se kanë ndikuar shumë faktorë në këtë rezultat.
“Ka shumë faktorë qe kanë ndikuar në ketë rezultat. Përderisa nuk reformohet sistemi zgjedhor, një votë për një kandidat, gjasat qe Kosova te ketë demokraci te mirëfilltë vendimmarrëse, do te jenë të vogla. Krijimi i grupeve në pesëshe ose dhjetëshe është lëndim i vullnetit demokratik. Unë përfundimisht nuk do të jam pjesë e kuvendit te radhës, nuk kam marrë vota të mjaftuara nga qytetarët. Në ketë udhëkryq për të ardhmen e vendit, kuvendi duhet te ketë përfaqësues të guximshëm dhe më përgjegjësi. Uroj që kjo legjislaturë do të performojë për vendin e jo për subjektet politike”, tha ai për Gazeta Blic.
Lidhur me mbetjen jashtë Kuvendit të këtyre deputetëve, analisti politik, Arbnor Sadiku, thotë për Gazeta Blic se ka ndikuar konkurrenca.
“Konkurrenca në lista me 10 kandidatë ka ndikuar dhe pak shumë instruksioni i liderëve dhe partive politike se kush përafërsisht duhet del dhe hyn deputet, natyrisht aty ku kanë mundur, e kanë bërë të veten”, tha Sadiku.