Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka marrë vendim për diskualifikimin për një vit nga të gjitha aktivitetet e prokurimit publik të operatorit ekonomik “ARF” Sh.p.k., pas një rasti që lidhet me një tender të Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan.
Vendimi është marrë nga Paneli Shqyrtues i Prokurimit, pas shqyrtimit të kërkesës së Autoritetit Kontraktues – Spitali i Përgjithshëm Gjilan, lidhur me aktivitetin e prokurimit për “Furnizim me materiale të ndryshme për nevojat e Spitalit të Përgjithshëm Gjilan”.
Sipas vendimit, kompania ARF Sh.p.k. është diskualifikuar nga pjesëmarrja në prokurim publik për periudhën njëvjeçare, duke filluar nga 9 mars 2026 deri më 8 mars 2027.
Në arsyetimin e vendimit thuhet se gjatë shqyrtimit të dokumentacionit dhe provave të dorëzuara, autoriteti kontraktues ka paraqitur dëshmi që sipas vlerësimit të panelit tregojnë se operatori ekonomik ka vepruar në kundërshtim me nenin 99 të Ligjit për Prokurimin Publik.
Në dokument përmendet edhe deklarimi i një dizajneri, i cili ka sqaruar se nënshkrimi i tij në dokumentet e kompanisë ishte përdorur pa dijeninë e tij, duke e konsideruar atë të falsifikuar.
Bazuar në këto rrethana, paneli i OSHP-së ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për marrjen e masës ndëshkuese ndaj operatorit ekonomik.
Sipas vendimit, kundër këtij vendimi nuk lejohet ankesë, ndërsa pala e pakënaqur mund t’i drejtohet gjykatës kompetente për anulimin e vendimit brenda 30 ditëve nga pranimi i tij.
Në lidhje me këtë vendim është deklaruar edhe drejtori i AVONET, Kenan Gashi, i cili ka treguar se më 5 dhjetor 2025 kishin kërkuar hetim nga Prokuroria e Shtetit e Republikës së Kosovës për dyshime për deklarim të rremë nën betim, mashtrim në prokurim publik, keqpërdorim të besimit dhe falsifikim të dokumenteve.














