Një rast i rëndë dhune në familje është raportuar pasditen e së shtunës në fshatin Jasenovik të komunës së Novobërdës, ku një djalë dyshohet se ka sulmuar fizikisht babain e tij me një shufër metalike.
Rreth orës 16:30, viktima N. R, 61 vjeç, ka paraqitur kallëzim në polici, duke deklaruar se është sulmuar brutalisht nga djali i tij, R. R, 24 vjeç. Sipas viktimës, sulmi ka ndodhur brenda shtëpisë dhe është realizuar me mjet të fortë, një shufër metalike,duke i shkaktuar goditje në pjesë të ndryshme të trupit.
Menjëherë pas raportimit, viktima është dërguar në Emergjencë për trajtim mjekësor, ku mjekët kanë konstatuar se ai ka pësuar lëndime të lehta trupore.
Me urdhër të prokurores kujdestare, i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe është dërguar në qendrën e paraburgimit, ndërsa rasti është iniciuar si “Dhunë në familje” dhe i është besuar Njësisë së Hetimeve për procedim të mëtejshëm. Sinjali do të vazhdojë ta ndjekë rastin.