Një hulumtim i realizuar nga Dukagjini hedh dritë mbi një sërë mospërputhjesh mes deklarimeve publike të Ministrit në detyrë të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, dhe dokumentacionit zyrtar që lidhet me produktin veterinar “Deltanil”, një preparat francez i përdorur për repelimin e parazitëve tek kafshët.
Në një paraqitje televizive, ministri Peci kishte pretenduar se ky produkt është përdorur në Kosovë që nga viti 2013, duke e paraqitur atë si pjesë të një praktike të përhershme që, sipas tij, ndjek standardet evropiane.
Peci kishte deklaruar se “Deltanil me karencë zero përdoret gjatë gjithë fazave dhe është blerë nga viti 2013 deri më 2025”.
Këto pohime, megjithatë, nuk përputhen me të dhënat e siguruara nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).
Sipas AUV-së, autorizimi i parë për marketing i produktit “Deltanil Pour On” nga prodhuesi francez VIRBAC është dhënë vetëm në vitin 2022. Kjo hedh poshtë pretendimin se ky preparat ka qenë pjesë e praktikës veterinare në Kosovë për një dekadë. Në fakt, çdo përdorim apo tregtim i tij para këtij viti do të konsiderohej i jashtëligjshëm.
“Ju njoftojmë se preparati ’Deltanil Pour On’ nga prodhuesi Virbac France gjendet ne regjistrin e Produkteve Medicinale Veterinare të autorizuara per PMV nga viti 2022. AUV nuk e bene furnizimin me këtë preparat, mirëpo zhvillon procedurë të hapur te prokurimit per shpallje të tenderit per kryerjen e shërbimeve veterinare për repelimin e kafshëve ne komunat endemike kundër sëmundjes Ethe Hemorragjike Krime Kongo (EHKK)”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës për Dukagjinin.
Për më tepër, udhëzuesi i përdorimit i dërguar nga AUV, sqaron se ky produkt është i autorizuar vetëm për gjedhë, dele dhe qengja, dhe përdorimi i tij në dhitë cilësohet si “off-label” – pra jashtë autorizimit të specifikuar nga prodhuesi.
Në udhëzuesin për përdorim të produktit Deltanil, efktet e tij tek Gjedhet janë në fushën e trajtimit dhe parandalimit të infektimeve nga morrat thithës dhe kafshues, përfshirë: Bovicola bovis, Solenopotes capillatus, Linognathus vituli dhe Haematopinus eurysternus.
Gjithashtu i indikuar si ndihmë në trajtimin dhe parandalimin e infektimeve nga mizat kafshuese dhe bezdisëse, përfshirë: Haematobia irritans, Stomoxys calcitrans, Musca spp. dhe Hydrotaea irritans.
Tek delet efektet arrihen në trajtimin dhe parandalimin e infektimit nga rriqrat (Ixodes ricinus) dhe morrat (Linognathus ovillus, Bovicola ovis), si dhe mallofaget (Melophagus ovinus). Trajtim nga invadimi me miza zakonisht e shkaktuar nga Lucilia spp.
Tek qengjat përdoret për trajtimin dhe parandalimin e infektimit nga rriqrat (Ixodes ricinus) dhe morrat (Bovicola ovis).
Në përgjigje ndaj pretendimeve të ministrit në detyrë, AUV thekson se nuk e furnizon vetë produktin, por organizon procedura të hapura prokurimi për shërbimin e repelimit të kafshëve në komunat me risk të lartë. Tenderi për këto shërbime, i iniciuar nga ministria që udhëheq Peci, ka vlerën e përgjithshme prej 886,250.00 euro me një afat kontraktual prej 36 muajsh.
Përfituesit e këtij tenderi janë disa operatorë ekonomikë lokalë, përfshirë: Fidan Krasniqi B.I, Theranda Vets SH.P.K, Vector Pest Control SH.P.K, Jusuf Berisha, Halim Ahmetaj, Ganimet Pirana B.I dhe Bujar F. Ejupi B.I.
Ndërkohë, sipas të dhënave të hulumtuara, importuesi ekskluziv i “Deltanil” në Kosovë është kompania Jonatan SH.P.K, në pronësi të Bajram Pirana. Ai e ka konfirmuar për Dukagjinin se Ganimet Pirana B.I dhe Jonatan SH.P.K janë në fakt e njëjta kompani, me ndryshim vetëm në emërtimin ligjor. Megjithatë, përkundër interesimit të drejtëpërdrejtë, Pirana nuk ka ofruar një përgjigje konkrete se prej cilit vit Jonatan SH.P.K ka filluar të importojë “Deltanil”, duke kërkuar që pyetjet t’i dërgohen me email. Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, kjo kompani nuk është përgjigjur.