Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka deklaruar se Kosova, gjatë viteve të fundit, ka humbur mundësi të rëndësishme investimi për shkak të mosbashkërendimit me politikat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, veçanërisht në sektorin e energjisë.Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, Zeka tha se një nga rastet kryesore ka qenë humbja e mundësisë për ndërtimin e një termocentrali me investitor amerikan.
Kosova për vite me radhë realisht ka refuzuar në disa aspekte kyçe të politikës së jashtme amerikane që të bashkërendohet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.“Në vitin 2021 ne realisht e humbëm mundësinë e ndërtimit të një termocentrali, investitori i të cilit ishte një kompani me kapital amerikan”, deklaroi Zeka.
Sipas tij, kjo ka ndodhur edhe si rezultat i deklaratave politike të asaj kohe.“Kjo ndodhi edhe për shkak të deklaratave që dy prej liderëve më të fuqishëm politikë, kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani, i kishin bërë gjatë fushatës së vitit 2020 dhe në fillim të vitit 2021”, tha ai.
Zeka kritikoi gjithashtu qasjen e Qeverisë ndaj marrëveshjes së Washingtonit, duke thënë se ekzekutivi kishte refuzuar zbatimin e disa prej dispozitave të saj.“Kjo qeveri realisht refuzonte që të zbatonte dispozitat e Marrëveshjes së Washingtonit, në të cilën parashihej edhe përfitimi i fondeve të institucioneve financiare amerikane për ndërtimin e infrastrukturës së furnizimit me gaz të lëngshëm natyror”, u shpreh ai.
Ai kujtoi deklaratat e zyrtarëve qeveritarë që, sipas tij, kishin shkaktuar shqetësim.“Zyrtarët e qeverisë thoshin se do të zgjedhin cilat dispozita të Marrëveshjes së Washingtonit do t’i zbatojnë. Ata jo vetëm që e refuzonin marrëveshjen në tërësi, por po provokonin duke thënë se do të vendosin vetë cilat pika do t’i zbatojnë”, deklaroi Zeka.
Drejtori i Odës Amerikane poashtu tha se ekziston një kërkesë e qartë amerikane për investime në infrastrukturën e gazit të lëngshëm natyror (LNG), duke kundërshtuar pretendimet se kjo nuk është kërkesë zyrtare e Washingtonit.












