Kanë kaluar 48 orë nga vrasja e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, por Albert Sylaj, i dyshuari për vrasjen e saj, vazhdon të jetë në arrati. Policia e Kosovës e ka shpallur në kërkim dhe ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Arlinda Zekaj, 49-vjeçare, u vra mbrëmjen e 25 tetorit, pak minuta pasi ishte kthyer në shtëpinë e saj, e shoqëruar nga Policia. Për vrasjen dyshohet kunati i saj, Albert Sylaj, i cili kërkohet për veprën penale “Vrasje e rëndë”.
Sipas të dhënave të publikuara nga Policia, Albert Sylaj, i njohur edhe si Albert Sylejman Sylaj, ka lindur më 12 dhjetor 1984 në Deçan. Pas ngjarjes, ai është larguar dhe deri të martën, më 27 tetor, nuk është bërë e ditur se është arrestuar.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit, më 25 tetor, rreth orës 21:02, policia ka gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjuetie, 153 fishekë, disa karikatorë, pajisje të ndryshme të armës, tri thika, një bajonetë, 115 gëzhoja dhe një sëpatë.
Arlinda Zekaj u vra mbrëmjen e 25 tetorit, pasi kishte shkuar në stacionin policor në Pejë për të raportuar sërish problemet me ish-bashkëshortin e saj.
Sipas kronologjisë, ajo ishte në stacionin policor rreth orës 19:00, ku ishte intervistuar nga njësia që merret me rastet e dhunës në familje. Pas kësaj, një patrullë policore e kishte shoqëruar për në shtëpinë e saj në Vitomiricë.
Rreth orës 20:58, ajo ishte kthyer në shtëpi. Vetëm pak minuta më vonë, rreth orës 21:02, policia ishte njoftuar për rastin e rëndë.
Zyrtarët policorë e gjetën 49-vjeçaren pa shenja jete në dhomën e gjumit. Sipas dyshimeve, ajo ishte goditur me sëpatë në kokë nga kunati i saj, i cili më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Ajo që e bën rastin veçanërisht shqetësues është se Arlinda nuk ishte kthyer në shtëpi pas një periudhe pa kontakte me institucionet. Ajo kishte raportuar sërish probleme me ish-bashkëshortin po atë ditë dhe kishte kërkuar që t’i mundësohej qëndrimi në shtëpinë e saj, në përputhje me vendimin gjyqësor.
Më 16 tetor, Gjykata Themelore në Pejë kishte lëshuar urdhër mbrojtjeje urgjent gjashtëmujor ndaj Jeton Sylajt, ish-bashkëshortit të Arlindës.
Vendimi i mundësonte Arlindës shfrytëzimin e shtëpisë së përbashkët dhe ia caktonte asaj përkohësisht kujdestarinë e djalit. Jeton Sylajt i ndalohej ushtrimi i dhunës fizike ose psikologjike, pengimi i lëvizjes së saj, si dhe ofendimi, shqetësimi apo kërcënimi i saj.
Sipas përmbajtjes së vendimit, atij i ndalohej afrimi brenda distancave të përcaktuara nga gjykata, përfshirë dy metra brenda shtëpisë dhe 20 metra në ambiente të tjera.
Vendimi parashihte edhe pagesën e 150 eurove në muaj për alimentacionin e fëmijës. Urdhri ishte i vlefshëm deri më 16 prill 2027.
Megjithatë, në ditët pas vendimit, Arlinda vazhdoi të raportonte probleme. Sipas dokumenteve të publikuara, situata në shtëpi mbetej e tensionuar, ndërsa ajo kërkonte që vendimi gjyqësor të zbatohej dhe të mund ta shfrytëzonte shtëpinë e saj.
Vrasja ndodhi vetëm nëntë ditë pas lëshimit të urdhrit të mbrojtjes.

















