Partitë politike ende nuk i kanë filluar diskutimet për zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës.
Ndonëse kanë mbetur më pak së dy javë deri në skadimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, deri me tani askush nga kandidatët nuk i ka mbledhur 30 nënshkrime e nevojshme nga deputetë për të hyr në garë për postin e shefit të shtetit.
Të gjitha partitë politikë janë shprehur të gatshme për fillimin e këtyre bisedimeve, por askush nuk i ka filluar ato.
Pritjen janë që partia më e madhe në vend t`i thërras partitë tjera për diskutim.
Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci, ka bërë me dije se kjo parti ende nuk i ka nisur bisedimet me partitë tjera për çështjen e presidentit.
Në një prononcim për RTV21, ajo ka bërë me dije se pas miratimit të Projektligjit për Buxhetin do të shqyrtohet edhe kjo çështje.
“Është e rëndësishme që te finalizohet çështja e buxhetit, nesër është seanca në lexim të dytë, pas miratimit të buxhetit vazhdojmë me diskutimet për zgjedhjen e presidentit”, ka thënë Nagavci.
Disa ditë më herët, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka treguar që sapo t’i ketë nënshkrimet nga ndonjë kandidatët për president do të thërres seancën.
“Sapo t’i kem nënshkrimet nga kandidatët, do ta thërrasim seancën dhe do të procedojmë me të. Paraprakisht duhet të ketë takime”, ka deklaruar Haxhiu.
Në anën tjetër partitë opozitare janë duke e pritur ftesën e VV-së për këtë temë.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Hazri, ka thënë se kjo parti është për një dialog në mes të partive politike për këtë çështje.
“LDK-ja është për një dialog mes partive politike sa i për këtë çështje së presidentit dhe ne kemi ofruar një bashkëpunim. Natyrisht bashkëpunim për një emër të LDK-së, jo për diçka tjetër sepse dialogu është ajo që çon në arritjen e konsensuesi”, ka thënë ai për VOX Kosova, duke shtuar se kjo parti nuk do ta përkrah asnjë kandidat për president pa marrëveshje politike.
Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, është shprehur skeptik se opozita do të mund të dalë me një kandidat të përbashkët.
“Si bllok opozitar ose do të ndërtohemi në këtë nisje, ose do të jemi të thyer. Është totalisht problematike që po hyjmë në javën e fundit pa një diskutim serioz se çfarë do të bëjmë”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, zgjedhja e presidentit të ri duhet të përfundojë deri më 4 mars.
Për t`i hyr garës për president, një kandidat duhet t`i sigurojë 30 nënshkrime të deputetëve.














