Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy personave të arrestuar gjatë ditës së djeshme në kuadër të procesit zgjedhor, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “Marrja ose dhënia e ryshfetit lidhur me votimin”.
Sipas Prokurorisë, të dyshuarit dyshohet se kanë kryer veprën penale në fshatin Gorazhdevc të komunës së Pejës, ku më pas janë arrestuar nga Policia e Kosovës.
“Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy personave të arrestuar gjatë ditës së djeshme në procesin zgjedhor, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale ‘Marrja ose dhënia e ryshfetit lidhur me votimin’”, thuhet në njoftimin e institucionit.
Prokuroria bëri të ditur se, në koordinim me organet kompetente të zbatimit të ligjit, do të vazhdojë ndërmarrjen e veprimeve hetimore për të zbardhur plotësisht rastin dhe për të siguruar provat e nevojshme.
“Prokuroria Themelore në Pejë, në koordinim me organet kompetente të zbatimit të ligjit, do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të ndriçimit të plotë të kësaj çështjeje penale dhe sigurimit të provave relevante”, thuhet më tej në njoftim.
Institucioni i akuzës ka ritheksuar përkushtimin për mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe zbatimin e ligjit ndaj çdo personi që cenon vullnetin e lirë të qytetarëve.
“Prokuroria mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor, ruajtjen e votës së lirë të çdo qytetari dhe zbatimin e ligjit ndaj çdo personi që cenon proceset demokratike”, theksohet në njoftim.











