Një person është gjetur i shtrirë në rrugë në Skenderaj, të shtunën, dhe pas dërgimit në emergjencë, mjeku ka konstatuar vdekjen e tij.
Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, bëhet fjalë për Fekë Zenelin, 79 vjeçar.
Rasti është raportuar në Polici më 24 tetor, rreth orës 14:00, pasi qytetarët kishin hasur në një person të shtrirë në rrugë.
Zeneli është dërguar në emergjencën e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj, ku mjeku kujdestar, rreth orës 15:00, ka konstatuar vdekjen e tij.
Pas raportimit, në rast janë angazhuar patrulla policore dhe njësitë hetimore, të cilat kanë dalë në QKMF dhe më pas në vendin e ngjarjes. Në hetime është përfshirë edhe Njësia e Hetimeve Rajonale, ndërsa janë intervistuar dy persona në cilësinë e dëshmitarëve.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me urdhër të të cilit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”, ndërsa shkaku i vdekjes mbetet për t’u përcaktuar nga ekzaminimet mjekoligjore.
















