Në Kosovë, ndërhyrjet estetike si Botox dhe fillerët po përhapen me shpejtësi, por një pjesë e madhe e tyre ofrohet jashtë ligjit dhe pa mbikëqyrje profesionale. Injektimi i Botox-it, që nuk është i licencuar për asnjë subjekt juridik, vazhdon të kryhet ilegalisht, duke i ekspozuar qytetarët ndaj praktikave të pasigurta.
Përveç aspektit ligjor, rreziku qëndron te pasojat shëndetësore nga aplikimi joprofesional: infeksione, deformime, reaksione alergjike dhe dëmtime serioze. Mungesa e kontrollit dhe e standardeve rrit dyshimet për sigurinë e këtyre shërbimeve dhe efektivitetin e mbikëqyrjes institucionale.
Në muajin dhjetor, me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Drejtoria e Hetimeve të Krimeve Ekonomike e Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Inspektoratin Shëndetësor, kishte zhvilluar një aksion të gjerë për kontrollimin e bizneseve që ofrojnë shërbimin e injektimit të Botox-it, pasi që asnjë subjekt juridik në Kosovë nuk është i autorizuar për ofrimin e këtij shërbimi.
Në mesin e subjekteve private shëndetësore të kontrolluara kishte qenë edhe institucioni privat shëndetësor “Shpresa Nuraj B.I.”, me pronare Dr. Shpresa Nuraj.
Sipas raportimit të inspektimit, është konstatuar se IPSh “Shpresa Nuraj B.I.”, me pronare Shpresa Nuraj, nuk ka qenë e licencuar për ofrimin e shërbimeve shëndetësore të fillerëve dhe Botox-it.
Inspektorët shëndetësorë në institucionin e saj privat shëndetësor kanë gjetur edhe çmimoren për fillerë dhe Botox.



Me procesverbalin e hartuar në momentin e inspektimit, Shpresa Nurajt i është ndaluar ofrimi i shërbimeve shëndetësore të fillerëve dhe Botox-it.
Vendimin për shqiptimin e gjobës prej 1 mijë eurosh e ka nënshkruar inspektori shëndetësor Kadri Maxhuni, një gjobë kjo shumë e lehtë, duke pasur parasysh edhe faktin se, nëse e njëjta paguhet brenda 15 ditësh, i gjobituri lirohet nga 50% e gjobës.

Mirëpo, inspektorët e Inspektoratit Shëndetësor, me rastin e shqiptimit të gjobave, duket se nuk kanë harmoni mes tyre e as bazë konkrete në të cilën mbështeten, duke pasur liri të madhe deri te dyshimet për favorizim.
Kjo për shkak se, për të njëjtat shkelje – ofrim të shërbimeve ilegale të fillerëve dhe Botox-it – disa klinika e qendra tjera janë gjobitur deri në 3 mijë e 4 mijë euro, siç është rasti i gjobitjes së Jeta Jahjes me 3 mijë euro për të njëjtat të gjetura.
Siç kemi raportuar edhe për rastin e klinikës “Helena”, me pronare Fjolla Rafuna, aty inspektorët shëndetësorë kishin specifikuar se Botox-i si produkt nuk është i lejuar për përdorim e as për import në Kosovë.
Por duket se inspektori Kadri Maxhuni ka bërë një raport të shkurtuar për Shpresa Nurajn, duke mos evidentuar shumë fakte, si për sasinë e gjetur të Botox-it e fillerëve, e as faktin se është rreptësisht i ndaluar në Kosovë, gjë që e bën të pamundur që një institucion privat shëndetësor të marrë licencë për injektimin e tij.
Çka është mbushja me acid hialuronik (filler)?
“Mbushja me acid hialuronik” është një procedurë estetike (jo kirurgjikale), ku në lëkurë injektohet acid hialuronik, një substancë që gjendet natyrshëm në trup dhe ndihmon në mbajtjen e lagështisë dhe volumit.
Mjeku ose profesionisti injekton këtë substancë në zona të caktuara të fytyrës ose trupit për të mbushur rrudhat, për të rritur volumin (p.sh. buzët, faqet), për të përmirësuar konturet e fytyrës dhe për të hidratuar thellësisht lëkurën.

Acidi hialuronik ka aftësi të tërheqë dhe të mbajë ujë, kështu që e bën lëkurën më të plotë dhe më të lëmuar, si dhe jep efekt të menjëhershëm.
Efekti i acidit hialuronik zgjat 6 deri në 18 muaj.
Rreziqet e acidit hialuronik, nëse aplikohet nga persona të palicencuar, janë: ënjtje, mavijosje, infeksion, deformim ose rezultate jo natyrale dhe, në raste të rralla, bllokim i enëve të gjakut.
Çka është aplikimi (injektimi) i botox-it?
Aplikimi i botox-it është një procedurë estetike ku injektohet një dozë e vogël e toksinës botulinike në muskuj të caktuar të fytyrës (ose trupit), për t’i relaksuar ata përkohësisht.
Aplikimi i botox-it kryhet me gjilpëra shumë të holla dhe injektohet në muskuj specifikë, si në: ballë, mes vetullave dhe rreth syve.
Kur aplikimi i botox-it bëhet nga persona të palicencuar, atëherë paraqiten këto rreziqe estetike dhe shëndetësore.

Rreziqet estetike: rënie e qepallës (sy “i varur”), asimetri në fytyrë, fytyrë “e ngrirë” (pa mimikë natyrale) dhe rezultate të panatyrshme.
Rreziqet mjekësore: dozë e gabuar (paralizim i tepërt i muskujve), injektim në vend të gabuar (dëmtim i nervave), infeksione dhe reaksione alergjike.
Por, në raste më të rralla paraqiten edhe këto rreziqe: vështirësi në të folur ose gëlltitje, probleme me frymëmarrjen (nëse toksina përhapet gabim) dhe përhapje e efektit në zona të tjera të trupit.
LEXONI EDHE:














