Demokracia është një koncept i lashtë pothuajse aq sa shteti, qysh nga krijimi i qytet-shteteve në Greqinë antike. Ajo lindi si formë e qeverisjes që në atë kohë njihej si demokraci direkte ku qytetarët e qytet-shteteve mblidheshin në sheshe për të marrë vendime për mënyrë se si duhej të rregulloheshin punët e brendshme të atij komuniteti. Me kalimin e shekujve njerëzimi kaloi nga demokracia e drejtpërdrejt në demokracinë përfaqësuese, ku qytetarët zgjedhin përmes votës së tyre përfaqësuesit politikë të cilët supozohet të përfaqësojnë interesat e qytetarëve në procesin e vendimmarrjes.
Në së paku çdo katër vite vendimmarrja kthehet nga politikanët tek qytetarët të cilët përmes zgjedhjeve marrin në dorë fatin e tyre për 4 vitet e ardhshme, duke pasur mundësinë që përmes shprehjes së vullnetit të lirë ta mbështesin pushtetin aktual apo ta ndëshkojnë atë.
Populli i Kosovës është pikërisht në këtë udhëkryq të rëndësishëm për fatin e tyre në katër vitet e ardhshme apo edhe për më shumë.
Qytetari i Kosovës nesër, më 9 shkurt, ka mundësinë që t’i drejtohet kutive të votimit për të shprehur vullnetin e tij të lirë për përfaqësuesit e saj në Kuvendin e Kosovës, e nga aty për ekzekutivin e ardhshëm, i cili pritet të përballet me tema të rëndësishme për të ardhmen e vendit pas parasysh edhe shumë lëvizje gjeostrategjike në botë sot, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shtëpia e Bardhë udhëhiqet nga njeriu që drejtoi superfuqinë botërore 2017-2021.
Kosova për herë të parë përjetoi një qeveri në mandat të plotë që nga shpallja e pavarësisë, duke pasur parasysh që një bashkim politik parazgjedhor arriti të fitoi hiq më pak se 50.2% të votës popullore. Albin Kurti dhe Vjosa Osmani kishin bashkuar forcat politike para 14 shkurtit të vitit 2021 duke arritur një fitore spektakolare, e cila nga shumë kush ishte menduar se do të sillte rezultate në qeverisje. Por pritëshmëritë ishin shumë të larta krahasuar me rezultatet qeverisëse.
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, shpejt arritën të ulen në kolltuket e tyre, njëri kryeministër e tjetra presidente, duke ndarë edhe torten e pushtetit në ekzekutivin e kaluar.
4 vite të Qeverisë Kurti 2 kaluan, e sot qytetari është para vendimit të tij madhor të votojë një parti politike që qeverisi për 4 vite e suksesi i së cilës në detyrën për të cilën është e thirrur vështirë të gjendet, apo të votojë opozitën e cila për 4 vite përdori vetëm mjete demokratike për ta kundërshtuar politikën e kryeministrit Albin Kurti.
Nesër më 9 shkurt vendimmarrja pas 4 viteve rikthehet tek qytetari, i cili ka në dorën e tij fatin e Kosovës për së paku 4 vite.
Shumëkush kishte menduar se qeverisja e 4 vjetëshit të kaluar do të ishte shumë më e lehtë dhe më rezultative për shkak të numrave që arriti të fitojë, por pak kush e kishte menduar se në fund të mandatit do të jetë bukur vështirë të numërohen suksese qeverisëse.
Pra, edhe ky test në Kosovën shtet të ri, qeverisja me mbi 50%, u tregua jo i suksesshëm në kuptimin qeverisës për të mirën e qytetarëve. Por ky test i radhës tregoi krejt diçka tjetër, që 50% koncentron pushtet të madh në duart e një njeriu të vetëm i cili pastaj mund ta përdor atë edhe për qërim hesapesh me të gjithë ata që e kundërshtojnë apo nuk pajtohen me mënyrën se si ai qeveris.
Kryeministri Albin Kurti për këto 4 vite më shumë përdori retorikë duke akuzuar e etiketuar secilin që kundështoi qeverisjen e tij. Opozitën e pati “sakatosur” duke e akuzuar për siç thoshte regjimi i kaluar njëzetvjeçar për shkatërrim të shtetit, sado që secilin institucion që e përdorte për manovrat e tij politike ishte ndërtuar nga qeverisjet e kaluara siç janë policia, ushtria, gjyqësia e shumë institucione tjera. Ai nuk u ndalë me kaq, por e vazhdoi tutje duke etiketuar secilin analist, gazetar e intelektual që mendonte ndryshe nga ai, se është pjesë e regjimit të kaluar.
Ndoshta do të ishte shumë më e lehtë sikur beteja e Kurtit të ndalej këtu, brenda Kosovës, por ai e vendosi në një rrafsh më lartë se kaq edhe në rrafshin ndërkombëtar duke akuzuar edhe zyrtarët e lartë amerikan, siç ishte rasti i ish sekretarit amerikan të shtetit Blinken të cilin e pati quajtur naiv. Përtej kësaj politika shtetërore e Kosovës në raport me ndërkombëtarët e futi Kosovën për herë të parë në sanksione ndërkombëtare nga aleatët tanë historik, SHBA dhe BE-ja.
Derisa nesër mbahen zgjedhjet Kosova vazhdon të jetë nën sanksione ndërkombëtare, për herë të parë në historinë e shtetit. Qeveria e 50% nuk arriti ta bind bashkësinë ndërkombëtare të vendos snaksione ndaj Serbisë as pas sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023. Përkundrazi ishte Kosova viktimë e sulmit, që përfundoi në sanksione si pasojë e mungesës së një vizioni të qartë dhe konkret të politikës së jashtme. Në fund të fundit, çfarë mund të presim më shumë nga një politikë e jashtme e shtetit, e cila për 4 vite nuk arriti të sjellë së paku një njohje të re për Kosovën. Për këto 4 vite ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla mund të njihet për skandalet e saja, ku ngatërronte flamujt e shteteve në postimet e saj në Facebook ashtu kështu pa përmbajtje.
Për pak harruam, ajo do të njihet edhe për barcoletën e mbrëmshme në tubimin qendror të Lëvizjes Vetëvendosje në sheshin “Skenderbeu” në Prishtinë.
Dialogu për 4 vite nuk pati asnjë përfundim, duke e mbajtur Kosovën në status quo. Ajo që arriti të nxjerrë Kurti nga dialogu janë marrëveshja e Ohrit dhe ajo në Bruksel, të cilat pritet të rëndojnë mbi qeveritë e ardhshme të Kosovës.
Po të kthehemi në politikën e brendshme për këto 4 vite vështirë të gjenden suksese të prekshme, përjashto pak fusha të caktuara për të cilën mund të diskutojmë. Kurti nuk arriti të realizojë pothuajse asnjë premtim të fushatës zgjedhore para 14 shkurtit 2021 siç janë çerdhet e reja, spitale, banesa për çiftet e reja e shumë të tjera.
Asnjë autorstradë për 4 vite, asnjë spital i ri, asnjë investim i madh kapital. Së paku vet ministri Hekuran Murati në një emision televiziv nuk arriti ta përmend së paku një investim të madh kapital, sado që tha se janë investuar mbi 650 milionë euro.
Fatkeqësisht, këto 4 vite ishin plotë skandale korruptive nga eksponentë të partisë në pushtet, siç ishte rasti i kryeshefit të KEK-ut Nagip Krasniq, ai me rezervat shtetërore, falja e borxheve të ujit, grantet nga ministria e Bujqësisë e shumë të tjera.
Sot qytetari i Kosovës duhet të peshojë qeverisjen e brendshme dhe raportet me aleatët tanë që janë shumë të rëndësishëm për të ardhmen e vendit tonë.
4 vjeçari i kaluar na ka treguar se fitimi i gjysmës së votës popullore nuk e bën një qeveri të suksesshme, por vetëm sa e bën gjithnjë e më arrogante.
Vendimmarrësi nesër duhet ta votojë opozitën, jo për hakmarrje ndaj Albin Kurtit, por si formë ndëshkimi për 4 vite me shumë dështime në politikën e brendshme dhe të jashtme. Duhet të votojë për balancim të pushtetit, duke moslejuar koncentrim të tij në duart e një njeriu të vetëm. Duhet të votojë për një qeveri pluraliste, ku partitë imponojnë agjenda politike sidomos për të ardhmen e vendit.
Albin Kurti për këto 30 ditë fushatë është munduar ta portretizojë garën e tij si i vetëm përballë të gjithë tjerëve përfshirë edhe analistët e gazetarët, të cilët vazhdon t’i sulmojë ulët duke rrezikuar edhe integritetin fizik të tyre.
Gara e nesërme është mes Lëvizjes Vetëvendosje, PDK-së, LDK-së, AAK-së e partive tjera, ku secila garon me një program politik.
Bëni zgjidhjen tuaj nesër marrë parasysh shumë faktorë, e sidomos raportet me miqtë ndërkombëtarë pa të cilët është shumë e vështirë në procesin dinamik të lëvizjeve të reja gjeostrategjike.
Para jush janë Albin Kurti me katër vite qeverisje, Bedri Hamza nga PDK, Lumir Abdixhiku nga LDK, Ramush Haradinaj nga AAK, e Koalicioni për Familjen.
Partitë opozitare si asnjëherë më parë garuan në këto zgjedhje me programe të qarta politike, duke premtuar projekte konkrete dhe të realizueshme për të mirën e vendit. Secila nga to ka projekte kreative por mbi të gjitha projekte zhvillimore për vendin si në aspektin ekonomik, arsimor, shëndetësor e fusha tjera.
Ata bën një fushatë të qetë, me një fjalor të qartë politik e nuk përdorën për asnjë moment fjalor polarizues.
Gjuha përbashkuese politike e tyre mbetet një shembull i qartë i ngritjes së vetëdijes politike brenda partive politike opozitare.
E ardhmja është në dorën tuaj!