Një nga parimet bazë të funksionimit të brendshëm të partive politike është pesha elektorale që arrin udhëheqja e partisë, e cila është baza mbi të cilën mbijeton për të vazhduar tutje apo për të dhënë përgjegjësinë për rezultatin zgjedhor.
Zakonisht rezultati zgjedhor përcakton të ardhmen e parisë drejtuese në të ardhmen, nëse rezultati është i kënaqshëm atëherë vazhdon tutje, kurse në rast se rezultati është i dobët kërkohet përgjegjësi nga kryetari i partisë.
Kjo është pak a shumë pasqyra mbi të cilën pritet të reflektohet edhe tek Lidhja Demokratike e Kosovës, e drejtuar nga Lumir Abdixhiku, i cili erdhi në krye të partisë pas dështimit spektakolar të saj në zgjedhjet nacionale të vitit 2021.
Abdixhiku erdhi në krye të LDK-së si rezultat i dështimit elektoral të partisë në shkurtin e 2021-shit, me shpresën për ta rikthyer LDK-në si fuqi politike në vend.
Gazeta Online Veriu.info merr vesh nga burimet e saj brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës se strukturat e saj që i përkasin krahut të Isa Mustafës, po ushtrojnë një lloj presioni mbi kastën drejtuese në krye me Abdixhikun për ta kthyer në forcë politike relevante, më konkretisht për ta rikthyer si partia e dytë në vend, më e pakta çfarë kërkohet.
Sipas këtyre burimeve në rast se Abdixhiku nuk e arrin këtë rezultat, atëherë pritet pas 9 shkurtit strukturat e partisë të kërkojnë dorëheqjen e kryetarit Abdixhiku, për të paguar çmimin të cilin e pati paguar Isa Mustafa dhe Avdullah Hoti pas rezultatit të vitit 2021.
Saktësisht ajo çfarë kërkohet nga Abdixhiku është arritja e rezultatit të vitit 2019, kur LDK arriti të dalë partia e dytë në vend pas Vetëvendosjes me rezultat prej 24,54% apo 206.516 votave me kandidate për kryeministre Vjosa Osmanin. E para në ato zgjedhje pati dalë Vetëvendosje me 26,270% apo 221.001 vota, që pati pasuar me koaliconin mes Vetëvendosjes dhe LDK-së, ku kryeministër u zgjodh Albin Kurti kurse Vjosa Osmani kryetare e Kuvendit të Kosovës, transmeton Gazeta Online Veriu.info.
Është ky standardi që pati vendosur para 3 vitesh vet Lumir Abdixhiku i ciliu pati thënë se nuk do të prishë standardin që është vendosur nga drejtuesit e mëparshëm, të cilët pasi kanë humbur rëndë janë larguar nga drejtimi i partisë.
“Kemi marrë një rezultat të rëndë më 14 Shkurt. Kemi bërë një rikuperim me 14 Nëntor. Do të përpiqemi më tutje. Procesi është i gjatë, por ka një standard në LDK që është vendos prej të tjerëve që rezultatet e rënda e jo të mira, largohemi, vazhdojmë vijnë të tjerët”.” – pati thënë Abdixhiku në emsionin Opinion.
Ky bashkëpunim politik nuk zgjati edhe shumë pasi koalicioni mes Vetëvendosjes dhe LDK-së përfundoi me daljen e kësaj të fundit nga koaliocioni, duke mos shkuar në zgjedhje por u formua qeveria e re me kryeministër Avdullah Hotin.
As qeveria Hoti nuk ishte jetëgjatë, pasi Gjykata Kushtetuese nxori vendim se zgjedhja e tij ishte jokushtutuese, duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme, të cilat u mbajtën më 14 shkurt 2021, që shpeshherë konsiderohen si “fortunë elektorale” që përfshiu më së shumti Lidhjen Demokratike të Kosovës në krye me Isa Mustafën.
LDK nga mbi 24% të votave më 2019, më 14 shkurt 2021 LDK përfundoi në 12,731% apo vetëm 110.985 të votave derisa Vetëvendosje arriti senzacion me 50,280% apo hiq më pak se 438.335 vota i bashkuar me Vjosa Osmanin që më 2019 ishte kandidate e LDK-së për kryeministre. Kjo e fundit siguroi pozitën e presidentes.
Ky rezultat zgjedhor bëri që brenda LDK-së të kishte zhvillime demokratike, duke larguar nga kreu i partisë Isa Mustafën, duke hapur rrugë për një kryetar të ri me shpresën për ta rikthyer partinë së paku si forca e dytë politike në vend.
E ky njeri ishte Lumir Abdixhiku i cili mori drejtimin e partisë pas zgjedhjeve të vitit 2021, kurse tani kandidon për kryeministër.
E duket se 9 shkurtit do të jetë testi vendimtar i Lumir Abdixhikut, i cili nëse nuk arrin rezultatin e kërkuar nga partia atëherë do të kërkohet përgjegjësi që nënkupton dorëheqjen nga kreu i partisë.
Kjo i bie pak a shumë përdorimi i një parametri të njëjtë që ka përdorur vet Abdixhiku ndaj Agim Veliut si kryetar i degës së LDK-së në Podujevë.
Agim Veliu humbi zgjedhjet e jashtëzakonshme më 2020 në Podujevë, me kandidatin e LDK-së Nexhmi Rudari kundrejt Shpejtim Bulliqit të Vetëvendosjes.
Pas këtij rezultati Agim Veliu u largua nga drejtimi i degës, duke ia dhënë atë Ekrem Hysenit i cili humbi zgjedhjet po ashtu më 2021.
Por “hatrimi” i Abdixhikut me Agim Veliun nuk përfundoi me kaq, pasi ai nuk i la hapësirë as për të hyrë në listën për deputet të LDK-së për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Sidoqoftë rezultati zgjedhor i 9 shkurtit pritet të sjellë zhvillime dramatike brenda partive politike, sidomos brenda LDK-së./Veriu.info/