Shtëpia më e vjetër në Mitrovicë, ajo e familjes Korogli, e stilit otoman e ndërtuar në shekullin XIX, së fundi është dëmtuar qëllimshëm, gjë për të cilën raportoi ekskluzivisht Gazeta Online Veriu.info.
Sipas burimeve të gazetës Veriu.info dhe banorëve të zonës, kjo shtëpi po synohet të rrënohet për të krijuar kushte për ndërtuesit që të ndërtojnë banesa në këtë zonë.
Gazeta raportoi se kjo shtëpi gjendet në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje te Përkohshme të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, listë e cila është hartuar me vendim të ministrit të MKRS-së të datës 7 tetor 2022.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka kthyer përgjigje në pyetjet e Veriu.info duke konfirmuar se objekti është dëmtuar në mënyrë të qëllimshme, evidentuar sipas autoriteteve përkatëse.
Në përgjigjen e saj MKRS ka thënë se kanë marrë të gjitha masat e nevojshme që objekti të mbrohet nga rreziku i mëtejmë.
Po ashtu MKRS ka thënë se Inspektorati për Trashëgimi Kulturore ka ndërmarrë veprime për ndalimin e punëve të paautorizuara dhe janë inicuar kallëzimet e nevojshme.
Veriu.info ka parashtruar sërish pyetje pranë MKRS-së rreth kallëzimeve penale, pasi përgjigjet fillestare kanë qenë të pa qarta.
Në përgjigjen e dytë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka konfirmuar se Inspektorati për Trashëgimi Kulturore ka proceduar Kërkesën për Fillim të Hetimeve në Policinë e Kosovës- SP Jugu Mitrovicë me datë 12.07.2023 me dyshimet se pronari i asetit qëllimshëm e ka dëmtuar të njëjtin e po ashtu edhe me moslejimin e ndërhyrjeve nga MKRS ka kontribuar që gradualisht të degradohet ndërtesa.
Kurse sa i përket rastit të 18 gushtit 2023, kur filloi rrënimi i objektit, sipas MKRS-së Policia e Kosovës ka zënë në flagrancë dy persona të cilët kishin filluar ta rrënonin me ekskavator një pjesë të ndërtesës.
Sipas përgjigjes Policia e Kosovës po merret me ndriçimin e plotë të rastit.