Gjykata Themelore në Gjakovë ka njoftuar se ka marrë vendim për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj 15 personave, që dyshohet se në cilësinë e kryesuesve në Malishevë kanë manipuluar me votat e kandidatëve për deputetë.
Gazeta Online Veriu.info ka siguruar vendimin e gjykatës për 8 nga 15 personat ndaj të cilëve u mor vendimi.
Veriu.info sjellë ekskluzivisht emrat e 8 prej tyre: Denis Zogaj, Fatime Krasniqi, Elton Hoti, Besa Krasniqi Mazreku, Arbër Kastrati, Kujtim Bytyqi, Albesa Krasniqi dhe Nderim Bytyçi.
Sipas kërkesës së Prokurorisë “ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve për numërimin e votave, me autorizime të marra nga KQZ, në Qendrën Komunale të Numërimit në Malishevë, e vendosur në palestrën e sporteve “Habib Zogaj”, me veprime të kundërligjshme kanë ndërhyrë në procesin e votimit, duke falsifikuar rezultatet e tij, me ç’rast kanë cenuar integritetin e procesit zgjedhor dhe vullnetin e lirë të votuesve”.
“Gjyqtari i procedurës paraprake, Sulltan Dobraj, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, pasi ekziston rreziku real që, nëse gjenden në liri, të njëjtit mund të ndikojnë në dëshmitarë dhe të pengojnë rrjedhën e procedurës penale, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një vepër penale me peshë të rëndë.”
Ata do të mbahen në paraburgim deri më 28 shkurt 2026.
















