Elshani pas @rrestimit të politikanit serb: Na nëse heqim flamur, e qesim tonin
Aleksandar Arsenijeviq nga partia Demokracia Serbe është arrestuar në Veri të Kosovës në afërsi të urës kryesore mbi lumin Ibër, aty ku punëtorët e komunës ishin duke punuar.
Pretendimet e qytetarëve serbë në lidhje me këtë rast, janë se gjatë ngjyrosjes së urës është fshirë një flamur serb. Kështu u tha gjatë takimit të përbashkët mes qytetarëve dhe zyrtarëve shtetërorë në komunën e Mitrovicës së Veriut.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani tha se kanë raporte të mira me secilin qytetar apo pjesëtar të shoqërisë civile në veri të vendit, në këtë rast edhe me të arrestuarin Arsenijeviq.
Elshani tha se do të shohin çfarë ka ndodhur, por “na nuk largojmë flamur. Nëse largojmë flamur, e qesim tonin”.
“Aca (Aleksandri) është pak i ngushtëm, i vrullshëm, po e kqyrim këtë situatë por flasim me të, tejkalohet edhe kjo. Ai se ka vra kërkon. Na kur kemi ardh këtu në maj 2023, kemi vendos tetë flamura të Kosovës. Katër në stacione policore, edhe katër në komuna. Ata flamura qëndrojnë aty”- tha Elshani gjatë takimit që u mbajt në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut.
Ndër të tjera, Elshani tha se nëse kishin shprehur dëshirën ta largojnë flamurin prej Zveçanit “e kishim hjek moti”, por nuk kanë insistuar.
“Mirëpo janë institucionet e shtetit të cilat e kanë përgjegjësinë e vet, për shembull Ministria e Kulturës, apo trashëgimia kulturore merret me një temë, atëherë ne intervenojmë. Deri më tani nuk na është kërkuar”- shtoi ai.
Arrestimi i Arsenijeviqit u bë në ditën kur në Mitrovicë të Veriut po mbahej një debat për hapjen e urës mbi lumin Ibër.
Në debat morën pjesë përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, të komunës së Mitrovicës së Veriut.













