E dërguara e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Karen Pearce, ka qëndruar në Serbi për vizitë ku është takuar me krerët e këtij shteti.
Në takimin që pati me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, u njoftua për një marrëveshje për ilaçe të reja që përdoren në trajtimin e kancerit të vezoreve dhe mëlçisë, të cilat Vuçiq tha se Serbia ka siguruar “ilaçet më të mira në botë”.
“Sot është një ditë e rëndësishme dhe e madhe për vendin tonë, për sistemin shëndetësor serb dhe, mbi të gjitha, për qindra mijëra qytetarë tanë që po përballen me diagnoza të vështira mjekësore. Falë kontratave që nënshkruam sot me AstraZeneca, Republika e Serbisë siguron qasje në terapi inovative onkologjike në 10 indikacione të reja”, tha Vuçiq.
Ndërkaq, temat politike dhe ekonomike emisarja britanike i foli me kryeministrin Gjuro Macut.
Ky i fundit i tha Pearce se Serbia mbetet “një partner i besueshëm dhe përgjegjës, i përkushtuar për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit dhe shtoi se vendi ynë kontribuon në forcimin e besimit përmes iniciativave që synojnë lidhjen ekonomike, përmirësimin e infrastrukturës dhe rrjedhën e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit në rajon”.
Duke folur për bashkëpunimin rajonal, Macut pretendoi se Serbia përmes “qasjes së saj konstruktive” dhe pjesëmarrjes në iniciativat rajonale, kontribuon në krijimin e “një mjedisi të parashikueshëm dhe të qëndrueshëm”, ndërsa shtoi se Serbia është për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi.
Për vizitën e saj njoftoi edhe ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq, i cili tha se në takim i ka shprehur gatishmërinë e Serbisë për “të punuar më tej në dialogun strategjik Serbi–Mbretëri e Bashkuar”.
“Bisedat tona u përqendruan gjithashtu në bashkëpunimin rajonal, të cilin e konsiderojmë thelbësor për avancimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe sigurimin e stabilitetit më të gjerë në këtë pjesë të Europës”.











