Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, në një intervistë të shkurtër për Gazetën Express ka thënë se Albulena Haxhiu me përfundimin e procesit të betimit si deputete, s’është më u.d e Presidentit dhe se vendi s’ka President.
“Avnia është kryesues. Ai nuk mund të jetë ushtrues detyre i Presidentit. Me situatën e sotme nuk ka më ushtrues detyre të Presidentit sepse Albulena dha betimin për deputet të Kuvendit.Pra, Republika e Kosovës aktualisht është pa President të Republikës”, ka thënë Hasani për Express.
Sipas Hasanit, tashmë Kuvendi pas konstituimit të plotë duhet të procedojë me zgjedhjen e Presidentit dhe jo të Qeverisë.
“Kuvendi duhet të procedojë me zgjedhjen e Presidentit jo vetëm për shkak të asaj që ndodhi sot, por sepse e ka detyrim kushtetues zbatimin e aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese. Siç dihet tashmë, paragrafi 162 i aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, me të cilin u shpall tërësisht i pavlefshëm dhe jokushtetues dekreti i zonjës Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, e ka bërë të qartë se, kurdo që vendi nuk ka President, së pari duhet të zgjidhet Presidenti dhe vetëm më pas të procedohet me zgjedhjen e organeve të tjera”, ka thënë ai.
“Përveç kësaj, më lejoni të them se zoti Kurti duhet ta dijë që aktgjykimi i para fundit i Gjykatës Kushtetuese e ka sqaruar se Kuvendi duhet të mblidhet dhe të konstituohet brenda afatit tridhjetëditor nga dita e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve. Mirëpo, tashmë është e qartë se Kurti vazhdimisht e interpreton Kushtetutën në mënyrë abuzive. Siç duket, ai tani se afati prej tridhjetë ditësh vlen vetëm për thirrjen e seancës së Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve nacionale”, ka përfunduar ai.













