Modelja shqiptare Misse Beqiri po përjeton një rikthim të bujshëm në skenën mediatike ndërkombëtare. Pjesëmarrja e saj në sezonin e ri të Ladies of London: The New Reign vjen në një moment delikat, pasi emri i saj është përmendur në dokumente të lidhura me financierin amerikan Jeffrey Epstein – një çështje që vazhdon të ketë jehonë globale.
Sipas raportimeve të tabloidit britanik The Sun, në dokumentet e publikuara së fundmi rikujtohet një takim i vitit 2011 mes Beqirit dhe Epstein. Burime pranë modeles kanë theksuar se ajo në atë kohë ishte shumë e re dhe në fillimet e karrierës, pa dijeni për të kaluarën penale të tij.
Sipas këtyre burimeve, takimi kishte ardhur si rezultat i premtimeve për mundësi në fushën e modelingut. Ata insistojnë se asgjë e papërshtatshme nuk kishte ndodhur dhe se sot Beqiri ndjen keqardhje për viktimat e çështjes, duke besuar se drejtësia duhet të vihet në vend.
Sipas të njëjtit burim, Beqiri ndodhej në fillimet e karrierës dhe kishte pranuar takimin pasi i ishin premtuar mundësi në fushën e modelingut. “Asgjë nuk ndodhi. Ajo sot pendohet që e takoi dhe ndjen keqardhje për viktimat, duke besuar se drejtësia duhet të vihet në vend”, thuhet më tej.
Raportimet theksojnë se Epstein kishte shfaqur interes të veçantë për modelen shqiptare, duke i propozuar një udhëtim me avion privat drejt Parisit për një sfilatë mode, si dhe duke shprehur dëshirën t’i dhuronte një automjet luksoz me vlerë rreth 100 mijë paund. Takimi i parë mes tyre thuhet se ishte zhvilluar në rezidencën e tij shtatëkatëshe në Manhattan, me vlerë rreth 37 milionë paund. Brenda vilës, Beqiri ishte habitur nga prania e një klase të improvizuar me banka shkollore, por kishte qëndruar me shpresën për të përfituar profesionalisht.
Takimi kishte ndodhur vetëm pak muaj pasi Epstein kishte përfunduar një dënim prej 13 muajsh burg dhe një vit arrest shtëpie, pas vendimit të vitit 2008 për sigurimin e një të miture për prostitucion. Sipas një miku të saj, në atë periudhë Beqiri nuk kishte dijeni për të kaluarën e tij penale.
Jeta personale dhe sfidat
Në planin personal, Misse Beqiri u bë e njohur ndërkombëtarisht edhe si bashkëshortja e ish-portierit të Manchester United, Anders Lindegaard, me të cilin u martua në vitin 2016. Nga kjo martesë ata kanë një djalë, Julian, 11 vjeç.
Më pas, ajo përjetoi një lidhje të trazuar me Jake Hall, e cila përfundoi në vitin 2021. Nga kjo marrëdhënie lindi vajza e tyre, River, 8 vjeç.
Një nga ngjarjet më të rënda në jetën e saj mbetet vrasja e vëllait, Flamur Beqiri, i cili u qëllua për vdekje jashtë banesës së tij në Battersea, në prag të Krishtlindjes 2019. Sipas gjykatës, ai ishte i përfshirë në krim të organizuar dhe kishte konflikte me grupe rivale në Skandinavi. Për këtë ngjarje, Anis Hemissi u dënua me burgim të përjetshëm, me minimum 35 vite.
“Një kapitull i ri”
Në prag të transmetimit të sezonit të ri të “Ladies of London: The New Reign”, Beqiri është shprehur optimiste për rikthimin në ekran. Ajo e cilësoi si “surreal” momentin kur pa billboardin me imazhin e saj, duke theksuar se rrugëtimi i saj nuk ka qenë i lehtë.
“Jeta nuk më është dhënë në një pjatë të artë. Nuk jam perfekte, por e di vlerën time dhe jam rritur si person”, është shprehur ajo, duke falënderuar ata që i kanë qëndruar pranë në momentet më të vështira.
Rikthimi në televizion përfaqëson për modelen një mundësi të re mes famës, polemikave dhe plagëve personale. Megjithatë, ndërsa hap një kapitull të ri profesional, e kaluara mbetet një pjesë e pandashme e historisë që e shoqëron.












