Ermira Bytyçi ka lindur në Suharekë dhe jeton në Prishtinë. Ajo vjen nga një familje me traditë të gjatë në arsim, ku prindërit e saj kanë shërbyer si arsimtarë në Komunën e Suharekës, edhe gjatë viteve të vështira të okupimit, duke kontribuar me përkushtim në ruajtjen dhe zhvillimin e arsimit në gjuhën shqipe.
Ermira është ekonomiste e diplomuar dhe ka vazhduar studimet profesionale në IKAF, një organizatë e specializuar për auditorë, kontabilistë dhe vlerësues. Gjatë studimeve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ajo ishte studente e dalluar dhe bursiste. Paralelisht me studimet, ajo filloi punën në sektorin privat në fushën e financave dhe kontabilitetit.
Me mbi 18 vite përvojë profesionale në financa dhe kontabilitet, ajo ka ndërtuar ekspertizë të avancuar në këtë fushë.
Që në fëmijëri, Ermira ka qenë aktive në aktivitete kulturore në vendlindjen e saj, duke u dalluar për recitime dhe udhëheqje të programeve kulturore në Suharekë. Gjithashtu, ajo ka kontribuar si vullnetare në iniciativën “Duaje tënden” për promovimin e prodhuesve vendorë, si dhe ka qenë për më shumë se një dekadë anëtare dhe përfaqësuese e grupit “Tifozat Kuq e Zi” në Prishtinë, ku ka menaxhuar financat e grupit.













