Shkumbin Demaliaj, i cili do t’i kundërkandidojë për kryetar të Deçanit Bashkim Ramosajt, ka hedhur akuza të rënda në drejtim të këtij të fundit.
Në një intervistë për Gazetën Demos, Demaliaj ka thënë se Ramosaj s’ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Madje, e ka quajtur edhe dezertor, shkruan Insajderi.
“Nuk e di kush është bashkëluftëtar i Bashkim Ramosajt. Unë kam respekt dhe i përkulem edhë vëllait të Bashkim Ramosajt, Agim Ramosajt, për luftën që e ka bë. Ka qenë pjesë e Njësisë “Shqiponjat e Zeza” në Dukagjin. Bashkim Ramosaj është dezertor i luftës. Ka pasë lëvizje të mëdha në ushtri në Dukagjin. Ka ra komanda, ka ra pjesa e një Shtabi, por ka qenë me urdhër të komandantëve. Bashkim Ramosaj ka ikë prej lufte më 98-ën.
Nuk është bashkëluftëtar i askuj në Dukagjin. Se është dezertor. Nashta ka bashkëluftëtarë të 2025-ës. Ka qenë në Shqipëri, ka marrë një armë, ka hy në Kosovë, kurrë pushkë s’ka kërsit. I lumtë pushka atij që e ka marrë me luftu, por pa urdhër të komandantit i ka lëshuar radhët e UÇK-së. Paslufte më 2001 a 2002 është kthy në Kosovën e çliruar“, deklaroi Demaliaj.