Pep Guardiola është protagonisti kryesor i dokumentarit “A Beautiful Obsession” të Amazon Prime Video, i cili i zbulon prapaskenat e dy viteve të fundit të trajnerit katalanas te Manchester City.
Rrëfimi është ndarë në katër episode dhe sjell momente të papara më parë nga brenda skuadrës angleze.
Një prej momenteve më të forta të dokumentarit është fjalimi i ashpër dhe emocional që Guardiola u mbajti lojtarëve në nëntor të vitit 2025, menjëherë pas humbjes 0-2 nga Bayer Leverkusen në Champions League.
Trajneri spanjoll nuk e fshehu zhgënjimin dhe iu drejtua futbollistëve me tone jashtëzakonisht të forta.
“Është turp, djema. Jam dreqësisht i lodhur. Dua ta lë punën”, është një prej deklaratave më të forta të Guardiolës, e cila tashmë është bërë publike përmes dokumentarit.
Guardiola ishte i zemëruar jo vetëm për rezultatin, por mbi të gjitha për mënyrën se si skuadra e kishte përballuar ndeshjen.
Ai u kërkoi lojtarëve më shumë karakter, guxim dhe dëshirë për të luftuar, duke theksuar se humbjet janë pjesë e futbollit, por mungesa e përkushtimit është diçka që nuk mund ta pranonte.
Në atë moment, trajneri katalanas u tregoi lojtarëve edhe anën e tij më njerëzore.
Ai e pranoi se ndihej i rraskapitur dhe i vetëm, duke shpjeguar se vitet e punës në nivelin më të lartë kishin ardhur me sakrifica të mëdha edhe në jetën e tij personale.
Guardiola u kujtoi futbollistëve se kishte dhënë shumë për ta dhe për klubin, ndërsa presioni i vazhdueshëm i punës kishte ndikuar edhe në jetën e tij familjare.
Pas shpërthimit në dhomën e zhveshjes, Guardiola u tha lojtarëve se të nesërmen nuk do ta shihnin në stërvitje.
Megjithatë, ai premtoi se përballë mediave do të vazhdonte t’i mbronte ata dhe nuk do t’i ekspozonte publikisht për atë që kishte ndodhur brenda dhomës së zhveshjes.
Dokumentari “A Beautiful Obsession” e sjell kështu një version shumë më personal të Guardiolës, larg imazhit të trajnerit të qetë dhe të kontrolluar që shfaqet zakonisht në konferencat për shtyp.
Rrëfimet e tregojnë presionin, emocionet dhe lodhjen që e shoqëruan periudhën e tij të fundit në krye të Manchester Cityt. /Gazeta Express













