Përmes një mesazhi publik, Strolenberg ka hedhur poshtë pretendimin se qytetarëve që marrin pjesë në protesta mund t’u ndalohet hyrja në vendet e Bashkimit Evropian, duke e cilësuar këtë informacion si të pavërtetë.
Eurodeputetja theksoi se ishte informuar për paralajmërime që i atribuohen kryeministrit Rama, sipas të cilave pjesëmarrja në protesta mund të sillte pasoja për lëvizjen e qytetarëve drejt BE-së.
“Më është thënë se shqiptarët po paralajmërohen nga Edi Rama se, nëse marrin pjesë në protesta, do t’u refuzohet hyrja në BE. Ky pretendim është i RREMË!”, deklaroi Strolenberg.
Ajo u bëri thirrje shqiptarëve që të mos ndikohen nga paralajmërime të tilla dhe të mos heqin dorë nga ushtrimi i së drejtës së tyre për tubim paqësor.
“Ju lutem, mos lejoni që pretendimet e rreme t’ju dekurajojnë nga ushtrimi i së drejtës suaj për tubim paqësor. E di që këto janë kohë të vështira dhe shqetësuese. Ruani veten!”, përfundoi eurodeputetja.

















