Familja e biznesmenit mitrovicas Agron Zeneli, i cili jeton në Gjermani, por që ka biznese atje dhe në Kosovë, ka reaguar ndaj fushatës shpifëse dhe linçuese që faqe të afërta me kampin e Faton Peci po bëjnë ndaj tij javëve të fundit.
Familja Zeneli ka njoftuar opinionin se biri i tyre, Agroni, nuk ndodhet në Kosovë që nga muaji gusht pasi që po kalon një periudhë të vështirë shëndetësore, duke qenë në kujdes intensiv në Gjermani.
Në reagimin e familjes së Agron Zenelit thuhet se këto faqe që po publikohen imazhe të viteve të mëhershme të shoqëruara me komentime të pavërteta.
Sipas familjes Zeneli, këto faqe menaxhohen nga Valon Peci, vëllai i kandidatit për kryetar të Mitrovicës, Faton Peci.
Postimi:
Reagim Publik i Familjes Zeneli
Në emër të Familjes Zeneli, ndjejmë nevojën të reagojmë ndaj disa publikimeve të fundit në portale të ndryshme, përfshirë Zëri i Mitrovicës, Ora dhe disa faqe të tjera mediatike, të cilat sipas informacioneve tona menaxhohen nga z. Valon Peci, vëllai i kandidatit për Kryetar të Mitrovicës, z. Faton Peci.
Në këto portale janë shpërndarë foto dhe video të marra pa leje nga profili personal në Facebook i z. Agron Zeneli, duke u shoqëruar me komente të pavërteta, tendencioze dhe me qëllime politike.
Dëshirojmë të sqarojmë publikisht se:
Asgjë nga ajo që është thënë apo shkruar nuk është e vërtetë, as për Familjen Zeneli, e as për z. Agron Zeneli dhe Personat e tjerë
Babai ynë, Agron Zeneli, nuk ndodhet në Kosovë që nga fundi i muajit gusht, pasi është duke kaluar një periudhë të vështirë shëndetësore dhe është nën kujdes mjekësor intensiv.
Ai nuk ka qenë pjesë e asnjë takimi, darke apo ngjarjeje të përmendur në këto publikime.
Fotot dhe videot që po qarkullojnë janë të vjetra, gati një vit më parë, dhe nuk kanë asnjë lidhje me ndonjë fushatë politike.
Ne si familje dënojmë fuqishëm keqpërdorimin e imazhit të babait tonë për qëllime politike apo përfitime personale.
Kërkojmë nga të gjitha portalet dhe personat përgjegjës që të ndalojnë menjëherë shpërndarjen e materialeve të tilla të pavërteta, të respektojnë privatësinë dhe dinjitetin e njeriut, sidomos në momente të ndjeshme shëndetësore.
Familja jonë beson në Zotë , në Punë , në të vërtetën, në dinjitet dhe në respektin njerëzor – dhe çdo kush që e njeh Agron Zenelin e di mirë karakterin, përkushtimin dhe jetën e tij larg çdo përfshirjeje apo përçarjeje.
Faleminderit për mirëkuptimin.
Familja Zeneli














