Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, njëherësh njëri nga kryetarët e Guxo, është deklaruar lidhur me çështjen e presidentit, temë kjo shumë e përfolur pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe mundësisë për një tjetër proces zgjedhor në muajin mars.
Peci i prerë tha se nëse Kuvendi i Kosovës nuk arrin ta zgjedhë presidentin e shtetit më 4 mars, vendi do të shkojë në zgjedhje.
Kur u pyet nëse mund të quhet kërcënim kjo deklaratë e thënë edhe nga kolegët e tij të koalicionit, ai e kishte një përgjigje.
“Çështja e presidentit, ajo që dihet me saktësi, më 4 mars, në rast se Kuvendi i Kosovës nuk e zgjedh presidentin/presidenten, vendi shkon në zgjedhje me automatizëm. Ky nuk është kërcënim, veç po konstatoj në aspektin kushtetues dhe ligjor. Nuk është kërcënim. Kuvendi i Kosovës duhet me e zgjedh presidentin ma së largu më 4 mars. Në rast se më 5 mars, Kosova s’ka president të votuar në kuvend, me automatizëm, shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme“, tha Peci në Klan Kosova.
Megjithatë, Peci u shpreh se presidenti do të zgjedhet dhe skena politike do të arrijë ta zgjidhë këtë krizë, siç e quajti ai.
“Unë personalisht besoj se kena me zgjedh këtë krizë, fort besoj. Unë vec e tregova atë që është sfidë për Kosovën. Ky është konstatimi, që duhet me qenë të gjithë të vullnetshëm me zgjedh presidentin.
Unë i kom pa disa përfaqësues të partive politike, prej LDK-së dhe AAK-së, që kanë me jep kontribut pas zgjedhejeve, mos me lanë Kosovën pa institucione. Politika pa bisedime nuk shkon hiç. Bisedime, negociata, kompromise…” – shtoi ai.
Se a do të jetë Vjosa Osmani presidente, Peci tha se çështja është në duart e Osmanit dhe Kurtit.
“Cështja përcaktohet në takimin Vjosa – Albini dhe gjithçka qartësohet”.













