Një person në Ferizaj është kapur nga Policia duke drejtuar veturën në kundërshtim me një vendim të mëhershëm për heqje të patentë shoferit, raporton Gazeta Sinjali.
Ngjarja ka ndodhur sot në mëngjes, më 10 korrik, rreth orës 09:30, në rrugën “12 Qershori” në Ferizaj, kur njësia policore nga stacioni lokal ka ndaluar një veturë të tipit Golf me targa vendore.
Gjatë kontrollit, është konstatuar se shoferi B.K., 25-vjeçar, kishte të shqiptuar masën e heqjes së patentë shoferit nga data 17 prill deri më 16 korrik 2025, por sërish po drejtonte automjetin, duke shkelur vendimin.
Si rezultat, Policia i shqiptoi atij gjobë prej 500 euro, i aplikoi 5 pikë negative dhe ndalim të drejtimit të mjetit për 6 muaj. Por për shkak të shkeljeve të mëhershme dhe pikëve të akumuluara, ndaj të njëjtit u shqiptua edhe një masë mbrojtëse shtesë prej 12 muajsh, ndërsa vetura u konfiskua.
“Ftojmë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Ferizajt.
Çdo shkelje apo rrezik në komunikacion mund të raportohen përmes:
📞 192
📞 0290/326-250
📞 0290/322-406
📲 Aplikacionit “Lajmëro Policinë””, thuhet tutje në njoftimin e Policisë.