Shefja e shtetit Vjosa Osmani e ka ndryshuar tonin në fjalimin e katërt vjetor në Kuvendin e Kosovës. Nga aty ka çuar më së shumti mesazhe për Kryeministrin Albin Kurti, i cili bashkë me deputetët e partisë së tij kanë qëndruar në sallë për ta dëgjuar. Adresimi i saj e ka reflektuar frymën e raporteve aktuale mes tyre, që nuk janë më të mira. Osmani ka thënë se pozitat kryesore në shtet nuk janë për ta lartësuar veten, ka treguar se çka është “lideri i vërtetë” e më së shumti ka folur për raportet me aleatët “luajtjen bixhoz” e talljet me ta. Ndonëse nuk e ka përmendur me emër Kurtin, adresimi i dedikohej më së shumti atij.
“Aleancat janë për të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik, luajtja bixhoz me to apo cenimi i tyre, e cenon vetë mbrojtjen e Republikës sonë”.
Në vitin 2021, Vjosa Osmani e Albin Kurti u bënë bashkë në zgjedhjet që i prezantuan si referendum për të garuar bashkë në një listë – e para presidente, i dyti kryeministër. “Kemi bërë marrëveshjen e parimeve”, kishte thënë atëherë Kurti. Gati katër vjet pas, Osmani e Kurti janë thelluar në mospajtime. Këto Presidentja i përmblodhi në adresimin e saj vjetor para Kuvendit dhe në prag të zgjedhjeve të reja.
Fjalimi i Osmanit nisi me përmendjen e “binomit Ibrahim Rugova-Adem Jashari”, por cak kryesor më pas ishin mesazhet për Kurtin dhe Vetëvendosjen dhe raporti i tyre me partnerët ndërkombëtarë. Osmani foli me ashpërsi edhe ndaj “talljeve që bëhen në llogari të aleatëve” dhe “sulmet ndaj tyre”, ndërsa përmendi edhe se si duken “liderët e vërtetë”.
“Ajo që dëshmon më së miri zhvillimin dhe pjekurinë e shtetit tonë është momenti kur ne sigurohemi që politikat tona të pasqyrojnë atë që është e drejtë, jo atë që është politikisht e përshtatshme, atë që është e duhur, e jo atë që tingëllon bukur, atë që është në interes shtetëror afatgjatë e jo në interes të votave të një palë zgjedhjesh, atë që e ngritë shtetin tonë lart e jo që i ngritë vetëm numrat në sondazhe. Vizioni largpamës është ajo që gjithnjë i ka dalluar liderët e vërtetë, jo vetëm në Kosovë, por çdokund në botë”.
Osmani tha se vetë ka “punuar me ngulm” drejt fuqizimit të aleancave, ndërsa tha se dobësimi i tyre është një gabim strategjik – një akuzë me të cilën u ngarkua Kurti në këto vitet e fundit.
“Asnjë popull nuk ia ka dalë vetëm e asnjë shtet nuk ka sukses në izolim. Andaj, rëndësia e ruajtjes dhe forcimit të aleancave është e paçmueshme. Historia politike na mëson se, dobësimi i aleancave ose partneriteteve është një gabim strategjik. Të punosh bashkë me ata që na ndihmuan ta kemi lirinë e shtetit asnjëherë nuk është nënshtrim e as shantazhim. Unë besoj fuqishëm se forca jonë më e madhe qëndron pikërisht në partneritetet tona. Aleancat mes shteteve janë më të mëdha e më të rëndësishme sesa cilido prej nesh si politikan apo cilado palë zgjedhje. Ato janë gurthemel i sukseseve tona dhe investim në një të ardhme ku Kosova do të jetë anëtare e barabartë në komunitetin euroatlantik të kombeve të lira”.
Më pas, Osmani akuzoi se “luajtja bixhoz” me aleancat apo rrezikimi i tyre është cenim i vetë mbrojtjes së Republikës”.
“Aleancat janë për të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik, luajtja bixhoz me to apo cenimi i tyre, e cenon vetë mbrojtjen e Republikës sonë. Shihni deklarimet e superfuqive botërore: do të shihni qindra fjalime se si çdo sfidë angazhohen ta kapërcejnë bashkë me aleatët sepse nuk munden t’ia dalin të vetëm”.
Për komentet apo talljet në llogari të aleatëve që janë bërë edhe nga figura të Vetëvendosjes, Osmani tha se s’mund të mirëkuptojë.
“Prandaj asnjëherë nuk e kam kuptuar e as mirëkuptuar, as talljet që bëhen në llogari të aleatëve, as sulmet ndaj tyre, e as keqpërdorimin e emrit të tyre për të fituar pushtet. As njëra e as tjetra nuk i bën nder Kosovës. Përkundrazi, duhet shumë punë e shumë angazhim për mirëmbajtjen e aleancave e partneriteteve bazuar në parime e vlera. Vetëm kjo rrugë mund t’i çojë interesat e Kosovës përpara”.
Osmani një pjesë të fjalimit të saj e ndau edhe për të shpjeguar pozicionin e saj që e dha së fundi e që sërish ishte në kundërshtim me atë të Kurtit – se kur Kosova duhet të “vetëreflektojë” dhe që të mos e presë Serbinë nëse do të zbatojë marrëveshjen e fundit të dakorduar me Kosovën. Ajo tha vetëm nëse ka garanci ndërkombëtare që do të këmbehej me anëtarësim në NATO do të duhej të dëgjonte aleatët për të nisur zbatimin e pjesës së saj në marrëveshje.
Ajo tha se dialogu me Serbinë i udhëhequr nga Bashkimi Europian “fatkeqësisht ka qenë komplet i pabalansuar me një trajtim të padrejtë të Kosovës dhe një akomodim të vazhdueshëm ndaj Serbisë”.
Këtu ajo përmendi masat që iu vendosën viktimës së agresionit – Kosovës, ndërsa agresori – Serbia – vazhdon të jetë e pandëshkueshme edhe pas sulmit terrorist një Banjskë.
“Më duhet të theksoj me keqardhje, që propozimet që shpesh kam bërë për përmirësimin e këtij procesi, janë ballafaquar me një sërë dezinformatash e sulmesh të ulëta, që nuk i kanë hije askujt në Kosovë. Për të qenë edhe më e qartë, kur unë kam propozuar që drafti i asociacionit të fillohet të diskutohet – të disuktohet, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në mënyrë që kjo çështje mos t’i lihet në dorë as Lajçakut e as të tjerëve që nuk besojnë në pavarësinë e Kosovës, kjo nuk ka nënkuptuar asnjëherë që unë kam kërkuar themelim të Asociacionit, por ka nënkuptuar se më shumë i kam besuar vetvetes sonë dhe Amerikës sesa disa burokratëve nga shtetet jo-njohëse, kam besuar se një draft statut ku mbrohet Kushtetuta, ku mbrohet sovraniteti, ku mbrohen kufijtë dhe ku mbrohet funksionaliteti i shtetit, shumë më mirë hartohet nga vet ne që kemi marrë mandat ta mbrojmë Kosovën, sesa nga disa “ekspertë të jashtëm” që kurrë nuk kanë besuar në projektin e Kosovës së pavarur, sovrane e të lirë”.
Presidentja u ankua se atëherë u përballë me akuza se ka shitur interesat e vendit.
“E ku jemi sot? Jemi pikërisht në momentin ku po kërkohet e njëjta, pra që draftin ta hartojmë ne. Por, siç dihet, vendimet e duhura duhet të merren edhe në momentin e duhur”.
Osmani shpjegoi se cila është pikëpamja e saj për zbatim të marrëveshjes nga ana e Kosovës.
“Ajo çfarë kam thënë është shumë qartë: 1.Zbatimi i marrëveshjes ka kuptim vetëm e vetëm nëse zbatohet nga të dyja palët dhe kur njëra tërhiqet sipas të drejtës ndërkombëtare tjetra nuk ka obligim ligjor që ta zbatojë; dhe 2. Si alternativë, si Presidente e vendit besoj, se nëse shihet përfundimisht se Serbia nuk do ta zbatojë pjesën e saj të marrëveshjes – gjë që unë jam e bindur që edhe në qoftë se e nënshkruan nuk e zbatojnë, siç dëshmohet me mbi 40 marrëveshje të tjera që i ka nënshkruar dhe kurrë nuk i kanë zbatuar, atëherë besoj që do të duhej të diskutonim me aleatët tanë, zbatimin e pjesës sonë vetëm e vetëm në shkëmbim të garancive ndërkombëtare të nënshkruara që përfshijnë anëtarësimin në NATO e organizata të tjera ndërkombëtare, garanci të sigurisë nëpërmjet marrëveshjeve bilaterale të sigurisë si dhe mbështetje për njohje të reja. Thënë shumë troç, ajo që kam thënë është se, më shumë sesa nënshkrimi i Presidentit të Serbisë ka rëndësi nënshkrimi i Presidentit të Amerikës. Shpresoj që jam mjaftueshëm e qartë”.
Osmani pati edhe rekomandime për çështjet më me rëndësi të Kosovës vitin e ardhshëm.
“E gjersa shohim para, ka disa çështje që kërkojnë vëmendje e angazhim të veçantë të të gjithëve gjatë vitit 2025. Anëtarësimi në Këshillin e Evropës, avancimi i aplikimit të Kosovës për anëtarësim BE-së si dhe fillimi i procesit për anëtarësim në NATO duhet të jenë suksese të vitit 2025. Prandaj, çdo hap i institucioneve të Kosovës për të arritur këto tri qëllime në vitin që vjen duhet të jetë strategjikisht i menduar dhe mirë i koordinuar”.